Botëror pa limite

Botërori 2018 June 12, 2018 - 14:11

Një Botëror pa limite në shpenzime. Kjo është ajo që do ta veçojë edicionin e 21-të të Kampionatit Botëror, i cili do të mbahet në Rusi nga 14 qershori deri më 15 korrik.

Bëhet fjalë për 14 miliardë dollarë të ndara në mes stadiumeve dhe infrastrukturës.

Ky do të jetë kompeticioni më i kushtueshëm i të gjitha kohërave, shkruan sot gazeta Zëri.

2.5 milionë bileta të shitura

Biletat e shitura e kapin shifrën e 2.5 milionëve sosh në 12 stadiume, respektivisht në 11 qytete.

Në ditët në vazhdim pritet të shiten edhe biletat e tjera të mbetura në dispozicion. Pjesa dërmuese e tyre janë shitur online.

Rreziku nga huliganët dhe terrorizmi

Mirëpo jogjithçka do të jetë e bardhë brenda një muaji në Rusi. Ekzistojnë rreziqe të natyrave të ndryshme, duke përfshirë ato të sigurisë, të cilat lidhen me huliganët rusë.

Por, në Rusi pritet të arrijnë edhe 10 mijë tifozë anglezë me një seri problemesh në profilin e tyre.

Më pas ekziston edhe rreziku nga terrorizmi. Rusia është angazhuar në luftën siriane dhe është në shënjestër të organizatës terroriste ISIS, e cila mezi pret evente ku ka shumë njerëz.

Por, Rusia këtë muaj do të jetë e rrezikuar edhe nga çeçenet, të cilëve u kanë kushtuar vëmendje të veçantë mediet gjatë kësaj periudhe, pasi edhe ata mund të “godasin” në çdo çast.

Në fund, konflikti me Ukrainën e që nuk ka arritur të kualifikohet në këtë eveniment.

Rusët janë në luftë me ukrainasit që nga pranvera e vitit 2014 dhe situata rrezikon të eskalojë në çdo moment.

Putin e ka paralajmëruar qeverinë e Kievit: asnjë provokim nuk do të tolerohet dhe se Ukraina do ta pësojë keq nëse ndërmerr diçka gjatë Botërorit.

Sidoqoftë, shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë dhe mbarë në Botërorin e Rusisë, ku do të marrin pjesë 32 ekipe, pjesa dërmuese e të cilave tashmë kanë mbërritur në territorin rus.

Siç dihet, në “Rusia 2018” do të marrin pjesë edhe pesë futbollistë shqiptarë, të cilët do ta përfaqësojnë Zvicrën dhe Belgjikën.

Bëhet fjalë për Valon Behramin, Blerim Xhemailin, Xherdan Shaqirin, Granit Xhakën dhe Adnan Januzajn. /Zëri/

Të rekomanduara