Rusia merr aromë Botërori

Botërori 2018 June 12, 2018 - 14:05

Rusia ka nisur të marrë aromë futbolli. Pjesa dërmuese e 32 përfaqësueseve pjesëmarrëse tashmë kanë mbërritur në Rusi. Kampionati Botëror do të fillojë të enjten dhe do të zgjasë një muaj. “Rusia 2018” pritet të thyejë rekorde të shumta, duke përfshirë këtu edhe shikueshmërinë, derisa priten ndeshje mjaft interesante nga ekipet pjesëmarrëse. Messi, Ronaldo, Neymar dhe yjet e tjerë janë garanci për këtë punë. Sy e vesh prej 14 qershorit deri më 15 korrik do të jenë të drejtuar kah Rusia

Deri te fillimi i të shumëpriturit Kampionat Botëror na ndajnë pak ditë, shkruan sot gazeta Zëri.

Të enjten do të nisë evenimenti më i rëndësishëm i futbollit botëror me ceremoninë hapëse dhe me ndeshjen ndërmjet mikpritësit Rusisë dhe Arabisë Saudite.

Image

32 ekipet pjesëmarrëse e kanë nisur rrugëtimin e tyre drejt Rusisë, ndërsa pjesa dërmuese e tyre ka mbërritur tashmë në territorin rus, ku do të mbahet ky kompeticion, pasi i kanë përfunduar përgatitjet dyjavëshe në vendet respektive.

Ronaldo, Messi e Neymar mbërrijnë në Rusi

Rusia ka nisur të popullohet nga ekipet pjesëmarrëse, pjesa dërmuese e të cilave tashmë ka mbërritur në këtë vend.

Lionel Messi me shokët e Argjentinës kanë mbërritur në vendin nga ish-Bashkimi Sovjetik, njëjtë si Cristiano Ronaldo dhe bashkëlojtarët e tij të Portugalisë.

Image

Të hënën në Rusi ka zbarkuar edhe Përfaqësuesja e Brazilit, e udhëhequr nga trajneri Tite dhe ylli Neymar.

Ekipi është vendosur në hotelin luksoz në Sochi, edhe pse nuk është paraparë ta zhvillojnë ndonjë ndeshje në resorin afër Detit të Zi.

“Seleçao” do ta nisë eksperiencën në Botërorin 2018 të dielën në duel me Zvicrën e shqiptarëve, e cila po ashtu të hënën ka mbërritur në Rusi.

Image

Një tjetër favorit për ta fituar Botërorin, Franca ka zbarkuar në Moskë e për të shkuar më pas në bazën e tyre në Istra, jashtë kryeqytetit rus.

“Trekolorët” do ta luajnë në ndeshjen e parë me Australinë, e cila gjendet në Kazan. Më pas do të kenë punë me Perunë dhe Danimarkën na kuadër të Grupit C.

“Les Bleus” kanë ditur gjithmonë të jenë të fuqishëm në evenimente të mëdha dhe duan ta përsërisin suksesin e vitit 1998.

Image

Por, edhe ekipet e tjera pjesëmarrëse kanë mbërritur ose pritet të mbërrijnë sot dhe nesër, kurse Botërori fillon të enjten me ceremoninë hapëse dhe më pas në të njëjtën natë do të zhvillohet ndeshja e parë ndërmjet mikpritësit Rusisë dhe Arabisë Saudite në kuadër të Grupit A.

Ekipet janë pritur me brohoritje nga tifozët në Rusi, që kishin dalë t’i prisnin.

Kontingjentet e ekipeve janë vendosur në bazat e tyre në qytete të ndryshme dhe do të qëndrojnë aty varësisht prej rezultateve të tyre në Botëror.

Image

Sa më larg të shkojnë në këtë kompeticion, aq më gjatë do të qëndrojnë në Rusi.

Treni i fundit për Messin e Ronaldon

Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo do ta kenë rastin e fundit për ta fituar Kampionatin Botëror, për herë të parë në karrierë.

Ylli argjentinas ishte shumë afër ta bënte një gjë të tillë në Botërorin 2014, por ishte mposhtur me shokët e tij nga Gjermania në finale.

Prandaj, duke e pasur parasysh se tashmë është 30 vjeç për të do të jetë treni i fundit që duhet të kapet.

Image

Përndryshe, ai do ta mbyllë karrierën pa e fituar Botërorin.

I njëjti rast vlen edhe për Ronaldon. Ylli portugez e fitoi Evropianin para dy vjetësh dhe është Botërori trofeu i vetëm që mungon në vitrinën e tij të pasur me trofe.

Favoriti Neymar

Për dallim nga Messi e Ronaldo, Neymar ka gjasa më të mëdha për ta fituar Botërorin, por do të ketë edhe raste të tjera, duke e pasur parasysh moshën e tij.

Brazili shihet si favoriti kryesor për të triumfuar në Rusi.

Prandaj ylli i Paris Saint-Germainit, që gjatë kësaj vere mund t’i bashkohet Real Madridit, ka arsye të jetë më i qetë dhe të besojë më shumë.

“Faraonët” i besojnë Salahut

Egjiptianët ishin shastisur kur Mohamed Salah ishte lënduar në finalen e Ligës së Kampionëve.

Ata frikësoheshin se lëndimi në krahë do ta linte yllin e tyre pa pjesëmarrje në Botëror.

Sidoqoftë, sulmuesi i Liverpoolit i është bashkuar ekipit, i cili ka mbërritur tashmë në Rusi dhe Salah është i gatshëm për debutimin ndaj Uruguait pasi është shëruar plotësisht. /Zëri/

Të rekomanduara