De Gea – kryeministrit të Spanjës: Kërko falje publike

Botërori 2018 June 11, 2018 - 18:40
Ja arsyeja

Portieri i Manchester United, David de Gea, dëshiron që kryeministri i ri i Spanjës, Pedro Sanchez, të kërkojë falje publike për komentet që i kishte bërë në lidhje me dyshimet se ai ishte përfshirë në një skandal seksual dy vite më parë.

Numri një i portës së Spanjës nuk u përballë asnjëherë me akuza nga gjykata, megjithatë Sanchez, i cili në atë kohë ishte lider i opozitës në Spanjë, theksoi publikisht se ndihej i parehatshëm me De Gean si numër një në portën e Spanjës para Kampionatit Evropian 2016, transmeton Gazeta Express.

“Qysh në fillim dhashë konferencë për media duke theksuar se e gjitha ishte gënjeshtër, por njerëzit vazhduan të flisnin”, tha De Gea për gazetën spanjolle Diario AS.

“Në fund, e vërteta doli në shesh dhe keni mundur ta shihni se e gjitha ishte gënjeshtër”, shtoi ai.

Sanchez e vizitoi ekipin kombëtar të Spanjës javën e kaluar, pjesë integrale e të cilës është De Gea, para se ata të udhëtonin drejt Rusisë, duke e përdorur këtë rast për t’u sqaruar me 27-vjeçarin ballë për ballë.

Derisa e vlerëson kërkim faljen personale, De Gea beson se kryeministri duhet ta bëjë edhe një kërkim falje publike.

“E kam pranuar kërkim faljen e tij sjellshëm. Por, puna është se ajo që ai e tha atëherë ishte publike dhe për këtë kërkim falja e tij duhet të jetë publike, po ashtu”, shtoi ai. 

 

Të rekomanduara