Arrestohen edhe dy persona lidhur me sulmin në Nice

Bota July 17, 2016 - 11:42

Zyrtarët francezë thonë se policia i ka arrestuar edhe dy persona të tjerë lidhur me sulmin me kamion në qytetin Nice, nga i cili u vranë 84 vetë dhe u plagosën afro 300 të tjerë.

Agjencitë e lajmeve kanë raportuar se një mashkull dhe një femër janë arrestuar sot në mëngjes në Nice, por nuk janë dhënë më tepër detaje.

Aktualisht, 5 vetë tashmë gjenden në arrest, përfshirë edhe bashkëshorten e ndarë të shoferit të kamionit, Mohamed Lahouaiej-Bouhlel, 31 vjeçar, me origjinë nga Tunizia, që për vite të tëra jetonte në Nice.

Autoritetet po përpiqen të zbulojnë nëse ky person ka vepruar i vetëm gjatë sulmit vdekjeprurës më 14 korrik.

Ai është vrarë nga policia pasi me kamionin e tij i kishte goditur njerëzit që gjendeshin në rrugë duke fetsuar Ditën e Bastijës në qytetin Nice.

Grupi ekstremist Shteti Islamik, e ka marrë përgjegjësinë për sulm, megjithqë njerëzit e afërt me shoferin Bouhlel kanë theksuar se ai nuk kishte shenja të radikalizmit.