Kjo është e vërteta e terroristit që kreu masakrën në Orlando

Bota June 15, 2016 - 12:27

Autoritetet besojnë se personi i armatosur që vrau 49 njerëz në klubin e natës “Pulse” në Orlando ka kryer udhëtime vëzhgimi në këtë klub dhe kompleksin tregtar argëtues “Disney” këtë muaj, sipas deklaratës së një zyrtari të Policisë

Vizita e Omar Mir Seddique Mateen në “Pulse” dhe “Disney Springs” ka ndodhur mes 1 qershorit dhe 6 qershorit, tha zyrtari i afërt me hetimet.

Numri i vizitave në secilin prej vendeve nuk është specifikuar. Por datat përkojnë me “Ditët Gay” 2016, me festimet që kanë ndodhur në “Walt Disney World” dhe zona të tjera në Orlando, ndërmjet 31 majit dhe 6 qershorit.

Hetuesit besojnë se vizitat kishin synim survejimin e këtyre vendeve. Vizitat po ashtu kanë ndodhur në të njëjtën periudhë kohore kur Mateen ka blerë armët e përdorura në sulmin e së dielës në mëngjes, në klubin e natës.

Për disa, Mateen ishte zemërak dhe homofob, dhe shante me tërbim meshkuj homoseksualë që putheshin.

Por ai ishte gjithashtu një fytyrë miqësore dhe e njohur në klubin gay ku kreu sulmin, duke vrarë 49 njerëz.

Chris Callen, i cili ka punuar në “Pulse” si një interpretues, tha për CNN se e kishte parë Mateen dhjetëra herë në klub. Sipas Callen, Mateen vizitonte “Pulse” dy herë në muaj për një periudhë prej tre vjetësh.

Por Dan Gilroy, i cili punonte me Mateen, e cilësonte atë si një person të dhunshëm, homofob dhe fanatik./panorama/