Kreu vrasjet si zotim për besnikëri ndaj “Shtetit Islamik”?

Bota June 14, 2016 - 08:34

Sulmuesi 29-vjeçar, i cili është përgjegjës për vdekjen e së paku 50 personave dhe plagosjen e 53 të tjerëve në një klub nate në Orlando, mund të jetë zotuar për besnikëri ndaj grupit të “Shtetit Islamik”, përmes një thirrjeje të shërbimit emergjent, para se të kryente sulmin vrasës në masë, më të tmerrshmin në historinë e SHBA-së. Sulmuesi, të cilin forcat e rendit e kanë identifikuar si Omaar Mateen, kishte hyrë në klubin e natës “Pulse” në Orlando në orët e hershme të mëngjesit të së dielës dhe kishte qëlluar ndaj klientëve të pranishëm.

Ron Hopper, agjent i FBI-së, i cili është përgjegjës i kësaj agjencie për divizionin në Tampa, u ka thënë gazetarëve se Mateen ka bërë një thirrje në numrin emergjent 911 të dielën në mëngjes, duke thënë se “është i përkushtuar ndaj Shtetit Islamik”, por Ron ka shtuar se nuk e ka dëgjuar ende incizimin dhe mund ta konfirmojë nëse Mateen është zotuar për besnikëri ndaj grupit militant përmes kësaj thirrjeje. Hopper ka thënë se FBI-ja e ka intervistuar Mateen së paku tre herë gjatë pesë viteve të fundit, për shkak të dyshimit për lidhje terroriste, por kohën e fundit nuk ka qenë nën vëzhgim apo hetim. Ai gjithashtu ka thënë se Mateen ilegalisht ka blerë së paku dy armë të cilat i ka përdorur gjatë sulmit javën e kaluar. Pas raportit për zotim për besnikëri nga ana e Mateen, agjencia zyrtare e lajmeve të “Shtetit Islamik”, “Amaq”, ka thënë se Mateen ishte një “luftëtar i Shtetit Islamik” dhe se grupi është përgjegjës për të shtënat.

“Sulmi i armatosur që ka shënjestruar një klub nate për homoseksualët në qytetin e Orlandos në Floridë, që ka lënë mbi 100 të vrarë dhe të plagosur, është kryer nga një luftëtar i ‘Shtetit Islamik’”, thuhet në mesazhin e kësaj agjencie. Nuk është e qartë nëse “Shteti Islamik” ishte i vetëdijshëm për këtë sulm apo ka mbështetur Mateen, apo nëse Mateen ishte një “ujk i vetmuar”, i cili ka organizuar sulmin pa ndonjë ndihmë, siç pretendon “Shteti Islamik”. Mateen kishte hyrë në klubin “Pulse” në orën 2 pas mesnate dhe kishte filluar të qëllojë të pranishmit duke përdorur një pushkë automatike AR-15 dhe një çifte. Ai më pas kishte marrë pengje dhe ishte përmbajtur me njësitin e policisë derisa ata kanë hyrë furishëm në klub në orën 5 të mëngjesit, duke e vrarë atë gjatë një përleshjeje me armë. Pulse ishte i stërmbushur me mbi 350 të pranishëm në një natë të muzikës latine, kur ka ndodhur sulmi.

Obama e cilëson sulm ndaj të gjithë amerikanëve

Presidenti Barack Obama ka thënë nga Shtëpia e Bardhë se sulmi ishte një akt i “terrorit dhe urrejtjes” dhe ka përbërë sulm ndaj të gjithë amerikanëve. “Ne ende po mësojmë të gjitha faktet dhe ky është një hetim i hapur. Nuk kam arritur ndonjë vlerësim përfundimtar rreth motiveve të vrasësit. FBI-ja po e heton këtë si një akt të terrorit”, ka thënë presidenti.

Mateen ka lindur në SHBA në vitin 1986 nga prindërit afganë dhe ka jetuar në Port St. Lucie të Floridës, rreth dy orë vozitje larg Orlandos. Agjenti i FBI-së Hopper ka thënë se Mateen ishte marrë në pyetje dy herë në vitin 2013 për komentet të cilat ai i kishte bërë rreth kontakteve të mundshme me terroristët si dhe në vitin 2014 për dyshim të lidhjeve me një sulmues vetëvrasës amerikan. “FBI e ka hetuar dhe intervistuar Mateen dhe ka zbuluar se kontakti ishte minimal dhe se në atë kohë ai nuk ishte një kërcënim”, ka thënë Hopper.

Bazuar në agjencinë e lajmeve “Reuters”, tre zyrtarë amerikanë të përfshirë në hetimin e kësaj masakre, kanë deklaruar se ende nuk është gjetur ndonjë dëshmi që tregon lidhjen direkte të tij me “Shtetin Islamik” apo ndonjë grupi tjetër militant. Babai i Mateen, Mir Siddique, i ka thënë “NBC News” se incidenti “nuk ka asgjë të bëjë me fenë”, por ka shtuar se e mban mend që djali i tij ishte zemëruar shumë pasi kishte parë dy meshkuj duke u puthur para gruas dhe fëmijës së tij në Majami disa muaj më parë. “Ne ishim në Bayside të Miami-t, ku njerëzit po bënin muzikë. Dhe ai ka parë dy meshkuj duke u puthur para gruas dhe fëmijës së tij dhe ishte zemëruar shumë. Ata po e puthnin dhe preknin njëri-tjetrin, ndërsa ai tha: ‘shikoj këta. Para syve të fëmijës tim po e bëjnë këtë’. Dhe pastaj ishim në banjën e meshkujve dhe meshkujt putheshin mes veti aty”, ka rrëfyer Siddique.

Klubi “Pulse” ishte pronë e përbashkët e Ron Legler dhe Barbara Poma, të cilët e kishin hapur këtë klub në shenjë nderimi për vëllain e kësaj të fundit, i cili kishte vdekur nga HIV/AIDS. Emri “Pulse” ishte për të rrahurat e zemrës së vëllait të saj, për të cilin Poma ka thënë se ka dashur ta mbajë të gjallë me hapjen e këtij klubi. Në ueb-faqe, ky klub e përshkruan veten si “një vend i argëtimit dhe fantazisë”. Beau Adams 28-vjeç, ka punuar si nikoqir pranë derës, ndërsa i dashuri i tij ka punuar në banak. Adams nuk ishte te “Pulse” atë natë, por shkon shpesh atje. Ai ishte zgjuar të dielën në mëngjes nga mesazhet dhe thirrjet e humbura të miqve të tij të brengosur.

Adams ka thënë se Orlando është komunitet i lidhur ngushtë si për homoseksualët ashtu edhe për njerëzit normalë dhe se ai së bashku me të dashurin, me ankth po presin nga autoritetet që të zbardhin emrat e viktimave. “Një natë mesatare në Pulse është gjithfarë, homoseksual, normal, të gjitha racat, të gjitha stilet. Ti hyn nga dera dhe sheh fytyra të lumtura. Është vështirë të besohet kjo”, ka thënë Adams. “Qëkur jam zgjuar këtë mëngjes, e tëra që kam mundur të dëgjoj, ishin helikopterët. Nuk mund ta besosh këtë. Kjo është Orlando. Kurrë nuk mund të mendoj se mund të jemi ne. Por sot ishte”, ka shtuar ai. Ka pasur një manifestim të heshtur të këtij komuniteti të dielën në mbrëmje dhe Adam, i cili ka marrë pjesë në të, ka thënë se ka “shpresuar se ky komunitet mund të përmblidhet dhe të jetë i fortë”.