Profili i terroristit që ua mori jetën 50 homoseksualëve

Bota June 13, 2016 - 13:46

Mediat amerikane e kanë përshkruar si një njeri të paqëndrueshëm mendërisht. Ish–bashkëshortja e kujton si person të dhunshëm 29 –vjeçarin, të mbushur me urrejtje. Ajo u tha gazetarëve se ai e kishte keqtrajtuar fizikisht disa herë. “Duhet të kishte probleme mendore”, u shpreh Sitora Yusufiy.

“Në fillim dukej shumë normal, kishte interes për familjen, i pëlqenin shakatë, i pëlqente argëtimi. Por vetëm pak muaj pas martesës fillova të vë re paqëndrueshmërinë e tij. Pashë se ishte bipolar dhe kalonte menjëherë në sjellje dhe veprime ekstreme. Nisa të shqetësohem për sigurinë time. Kjo u përforcua kur nisi dhuna fizike”, rrëfeu ajo.

Yusufiy, që e kishte njohur Mateen në internet 7 vjet më parë thotë se abuzimet që pësonte prej tij ishin bërë aq të tmerrshme, saqë familja e saj vendosi më në fund që ta ndihmonte duke e larguar prej tij. Ajo iku natën dhe nuk mori asgjë me vete.

Mateen, me origjinë afgane, hyri në klubin e natës “Pulse Club” në Orlando të Floridas dhe bëri një kasaphanë. Ai qëlloi me breshëri, me një armë automatike, duke lënë të vdekur në vend 50 persona. 53 të tjerë u plagosën. Ai u ekzekutua më pas nga FBI. Disa prej të mbijetuarve treguan tmerrin e përjetuar.

Të tjerë u dërguan mesazhe tronditës të afërmve duke përshkruar momentet e fundit të ankthit, përcjell lapsi.al.

Ai kishte një urrejtje patologjike ndaj homoseksualëve.

Babai i tij tha se i biri ishte mbushur me zemërim kur kishte parë dy burra duke u puthur në Miami.

Megjithatë, Seddique Mateen e përshkruan djalin e tij si njeri të mirë.

“Nuk e di çfarë e shkaktoi ndryshimin e tij”, shkruan ai në një postim në rrjetet sociale. “Nuk e mendova kurrë se do të kishte kaq shumë urrejtje në zemër dhe se do të kryente një akt të tillë gjatë Muajit të shenjtë të Ramazanit. Fati i homoseksualëve nuk është në duart e njerëzve. I takon vetëm Zotit t’i gjykojë”, shkruan ai.

Syed Shafeeq Rahman, imam i xhamisë së Floridas që frekuentohej nga Omar Mateen, e përshkruan atë si njeri të qetë. Omar kishte shkuar për 10 vjet rregullisht të falej.

“Ky është një veprim individual, të cilin duket e ka bluar me veten. Një zot e di ç’ka pasur në mendje”, u tha ai mediave.

Omar Mateen kishte lindur në Nju Jork nga prindër afganë. Ai jetonte në Florida. Ishte mbajtur nën mbikëqyrje për disa kohë nga FBI, si i dyshuar për terrorizëm. Por pasi ishte marrë në pyetje dy herë, emri i tij nuk ishte shënuar më në listën e të dyshuarve për terrorizëm.

Megjithatë policia po heton për lidhje të tij të mundshme me ISIS.

Ai kishte përmendur ISIS gjatë një telefonate që i kishte bërë policisë në numrin 911 gjatë sulmit në klubin e natës.

FBI kontrolloi apartamentin e tij, por dha detaje se çfarë gjeti. Akti terrorist i Omar Mateen do të mbahet mend si sulmi individual më i përgjakshëm në SHBA.