Masakër në Orlando, mbi 50 të vrarë

Bota June 13, 2016 - 08:28

I pyetur nëse incidenti kishte lidhje me terrorizmin islamik, një agjent i posaçëm i FBI-së tha se agjencia kishte “të dhëna se individi mund të ketë qenë i prirur ndaj një ideologjie të tillë”

Policia në qytetin juglindor të Orlandos në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës thotë se të paktën 50 vetë kanë humbur jetën dhe 53 janë plagosur kur u hap zjarr në një klub nate të homoseksualëve në orët e para të mëngjesit të së dielës, një incident që autoritetet thonë se po hetohet si një akt terrorizmi.

Një njoftim në faqen e “Facebook”-ut të klubit ku ndodhi kjo masakër thuhej: “Dilni të gjithë përjashta dhe vraponi”. Ishte një sinjal fillestar se po ndodhte një tragjedi. FBI-ja po heton ngjarjen. I pyetur nëse incidenti kishte lidhje me terrorizmin islamik, një agjent i posaçëm i FBI-së tha se agjencia kishte “të dhëna se individi mund të ketë qenë i prirur ndaj një ideologjie të tillë”, transmeton gazeta 'Zeri'.

Nuk është e qartë ende se pse u vu në shënjestër pikërisht ai klub. Sipas faqes “Twitter” të departamentit të policisë në klubin e natës “Pulse” kishte “një situatë viktimash në masë” dhe “personi që hapi zjarr ka vdekur”. Një person që ishte brenda klubit kur ndodhi ngjarja tha se kishte dëgjuar deri në 40 të shtëna. Video e marrë me celularë, transmetuar në “CNN” tregonte oficerë policie që po godisnin me armë zjarri.

Policia kishte njoftuar në rrjetin social “Twitter” se një zhurmë e madhe “ishte për shkak të një shpërthimi të kontrolluar nga forcat e rendit”.

Obama: Jepni çdo ndihmë të nevojshme

Shtëpia e Bardhë njofton se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, mori një raportim për ngjarjen nga Këshilltarja për Sigurinë Kombëtare dhe anti-terrorizmin Lisa Monaco.

Ai ka urdhëruar qeverinë federale që të japë çdo ndihmë të nevojshme për zyrtarët lokale që po merren me hetimin e ngjarjes. Presidenti amerikan po ashtu shprehu ngushëllime për familjet dhe të afërmit e viktimave.

“Sot po përballemi me diçka që ne kurrë se kemi imagjinuar dhe është e paimagjinueshme”, tha ndërkohë për gazetarët Kryetari i Bashkisë së Orlandos, Buddy Dyer, gjatë një konference shtypi.

Themeluesi i qendrës islame “Mike Space” në veri të shtetit Virxhinia pranë kryeqytetit amerikan, i tha shërbimit afgan të “Zërit të Amerikës” se “ky është një akt terrori i pajustifikueshëm”. Ai shtoi se “vrasja e njerëzve të pafajshëm është një akt frikacak, një akt që çdo mysliman dhe qënie njerëzore duhet ta dënojë.

Më i rëndi i këtij lloji në historinë e SHBA-ve

Sulmi në lokalin e natës “Pulse” në Orlando të Floridas është më i rëndi i këtij lloji në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Rasti i sulmit në lokalin e natës të homoseksualve që po hetohet nga FBI, po trajtohet si vepër e terrorizmit, ndonëse nuk përjashtohen edhe pista të tjera të hetimit. Pra, ekzistojnë të dhëna se autori i dyshuar i sulmit ka “disa lidhje me grupin militant, Shteti Islamik”, ka thënë para mediave Senatori Demokrat, Bill Nelson nga Florida, por kjo nuk është e konfirmuar ende, ka thënë ai. Rasti i dytë më i rëndë në sulme të tilla është ai i vitit 2007 kur një person vrau 32 persona në Universitetin Teknik në Virxhinia.

Kishte marrë peng disa persona

Përveç të vrarëve raportohet se disa të tjerë ishin marrë peng nga agresori, i cili kishte veshur edhe një brez me eksploziv. Ndërkohë autoritetet vendase kishin paralajmëruar njerëzit përreth të qëndrojnë larg vendngjarjes, pasi situata ishte ende e rrezikshme dhe në zhvillim e sipër. Sipas dëshmitarëve nga vendi i ngjarjes, fillimisht 7 persona janë qëlluar në klubin e natës “Pulse”, ndërkohë që një reporter i një medie amerikane tha se ai mund të ketë qëlluar edhe mbi 20 persona pastaj, ndërsa i pengonte të tjerët të dalin prej andej.
Policia kishte mbërritur menjëherë në vendngjarje, ndërsa aty janë parë edhe një sërë mjetesh emergjencash, sikurse edhe oficerë të armatosur me automatikë.
Pas disa orë shkëmbim zjarri me të dyshuarin policia arriti ta vriste sulmuesin i cili thuhet se ishte Omar Saddiqui Mateen.

Kush është sulmuesi?

Omar Saddiqui Mateen është identifikuar si autori i dyshuar i sulmit në klubin e natës, “Pulse” në Orlando të Floridas, që autoritetet thonë se mori jetën e 50 personave. 53 persona të tjerë pra janë plagosur gjatë sulmit që dyshohet se u krye nga 29 vjeçari i identifikuar nga familjarët dhe zyrtarët e organeve të sundimit të ligjit në Florida, raporton “Washington Post”. Mateen nuk është nga Orlando, por nga Fort Pierce, zonë në të njëjtin shtet federal amerikan, Florida. Ndonëse rasti po hetohet nga FBI si vepër terrorizmi, motivet e sakta ende nuk janë identifikuar, shkruan më tej “Washington Post”.

“Duket sikur ai ka qenë i organizuar dhe i përgatitur mirë”, ka thënë shefi i policisë në Orlando, Xhon Mina. Sipas tij, autori i sulmit e ka pasur një armë gjysmë automatike zjarri dhe një pistoletë. Autoritetet thonë se nuk ka shenja se Orlando vazhdon të jetë nën kërcënim nga sulme të tjera./ZËRI