Babai nga varri i shkruan email djalit

Bota April 10, 2016 - 20:03

Një djalë ka pranuar një email nga babai i tij, i cili ka vdekur tash e dy vjet.

Përdoruesi i rrjetit social “Reddit” javën e kaluar ka publikuar një email të shkruar nga babai i tij në të cilën prindi i tij e paralajmëronte se po i shkruante nga varri.

“Përshëndetje djali im, po flas me ty nga varri. Gjithmonë të kam thënë se do të kthehem dhe do vi pas teje”, ka shkruar babai në emailin e tij.

“Seriozisht, në kohën kur do ta lexosh këtë, unë do të kem vdekur. Shpresoj se tani je mësuar me jetën pa plakushin tënd dhe se i ke ndihmuar që të mësohet pa mua edhe nënës tënde”, thuhet më tej në email, transmeton Koha.net.

“Jam plotësisht i bindur se ti po kujdesesh për të ashtu siç jam kujdesur unë”.

Babai i tij ka përdorur ueb-faqen e quajtur “FutureMe”, shërbim i cili ia mundëson njerëzve që t’i shkruajnë mesazh vetes pas disa vjetësh, ose nëse jeni i regjistruar, ju mund t’i shkruani mesazh të së ardhmes edhe njerëzve tjerë.

“Kam disa mendime të cilat duhet t’i ndaj me ty sepse në muajt e fundit kurrë nuk pata mundësinë që të bisedoj për disa çështje. Shpresoj që të kam argëtuar me lojëra të mira. Por dua të të them se jam shumë krenar me ty...”, këtu përfundon edhe emaila, pasi djali thotë se më tej ka gjëra personale.

Por në postimin e tij, përdoruesi me emrin Beersie McSlurrp tregon se babai i tij i kishte shkruar për t’i treguar se sa krenar ishte me punën që po bënte në Border Security, ku ai ishte bërë shef.

“FutureMe” nuk është shërbimi i vetëm që ju mundëson të dërgoni emaila të së ardhmes. Shërbimet tjera janë “Afternote”, “Email From Deathand” dhe “Deathswitch”.