Nis hetimi pasi Ratko Mlladiq flet në televizionin serb

Bota November 18, 2018 - 10:49
Detajet

Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, MICT, tha se po heton nëse ish-kreu ushtarak serb i Bosnjës Ratko Mlladiq ka thyer ndonjë rregull duke folur drejtpërsëdrejti për programin e mëngjesit të kanalit televiziv serb TV Happy nga paraburgimi në Holandë.

Mlladiq foli me të ftuarit e programit pasi u mor në telefon nga djali i tij Darko, i cili po prezantonte të premten një libër mbi ish-gjeneralin në Beograd.

Zëdhënësja e MICT Helena Eggleston tha se të paraburgosurit kanë të drejtë të komunikojnë me anëtarët e familjeve të tyre, por çdo kontakt me mediat duhet të miratohet paraprakisht nga sekretariati i gjykatës së OKB-së.

“Ne po shqyrtojmë nëse ka pasur ndonjë shkelje të rregullave të paraburgimit lidhur me komunikimin e të burgosurve,” tha Eggleston për BIRN.

Ajo nuk pranoi të spekulojë mbi sanksionet e mundshme që mund të imponohen ndaj Mlladiqit.

“Tani i takon sekretariatit të vendosë nëse ka pasur ndonjë shkelje dhe nëse ka, njësia e paraburgimit ku mbahet Mlladiqi dhe sekretariati do të marrin masa të caktuara,” tha ajo.

Djali i Mlladiqit u prit në kanalin televiziv pro-qeveritar serb së bashku me deputetin e shtetit rus Duma Pavel Dorokhin dhe politikanin nacionalist serb të dënuar për krime lufte Vojisllav Shesheli.

Në një pikë të programit, Darko Mlladiq i telefonoi babait të tij, i cili përshëndeti Dorokhinin dhe Partinë e tij Komuniste të Rusisë, ftoi Sheshelin ta vizitojë atë në paraburgim dhe e këshilloi atë të bjerë nga pesha.

Mlladiq u dënua për gjenocid dhe krime të tjera lufte nga gjykata e OKB-së në Hagë në nëntor 2017, por do të apelojë kundër vendimit që e dënon atë me burgim të përjetshëm. Vendimi i fundit pritet të jepet vitin e ardhshëm.