Ish-shefat e inteligjencës jugosllave padisin Gjermaninë

Bota November 14, 2018 - 11:35
Mësoni detajet

Ish-krerët e Shërbimit Jugosllav Shtetëror Josip Perkoviq dhe Zdravko Mustaq kanë ngritur një padi kundër Gjermanisë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, duke pretenduar se gjyqi në të cilin ata u dënuan për vrasje ishte i padrejtë.

Josip Perkoviq dhe Zdravko Mustaq kanë ngritur një padi kundër Gjermanisë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, duke pretenduar se një gjykatë gjermane nuk i trajtoi ata në mënyrë të drejtë kur ata u gjykuan për vrasjen e një disidenti kroat në Mynih të vitit 1983, njoftoi media të martën.

Avokatët e tyre, Lidija Horvat dhe Ante Nobilo, i thanë agjencisë shtetërore të lajmeve Hina se ata duan një rigjykim në Gjermani.

Avokatët thanë se kryetari i trupit gjykues Manfred Dauster ishte i njëanshëm gjatë gjykimit, “duke u përgjigjur në favor të dëshmitarëve të prokurorisë” dhe duke qenë “jashtëzakonisht agresiv ndaj dëshmitarëve të mbrojtjes”.

Avokatët gjithashtu insistojnë se dy burrat duhet të ishin kthyer tashmë në Kroaci për të kryer dënimet e tyre, por që Gjermania nuk ka dërguar ende dokumentet e çështjes për të mundësuar këtë, njoftoi Hina.

Perkoviq, së bashku me ish-eprorin e tij Mustaq, u dënua me burgim të përjetshëm në gusht 2016 për asistim në vrasjen e emigrantit Stjepan Gjurekoviq në vitin 1983 në një garazh në Wolfsrathausen pranë Mynihut, ku ai printonte materiale propagandistike anti-jugosllave.

Mustaq kryesonte në atë kohë degën kroate të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit Jugosllav, ndërsa Perkoviq ishte shefi i departamentit të tij përgjegjës për emigrantët.