Turqia tërhiqet nga konferenca ndërkombëtare për Libinë

Bota November 13, 2018 - 15:38
Lexoni më shumë detaje

Turqia është tërhequr me "zhgënjim të thellë" nga konferenca ndërkombëtare për Libinë në qytetin e Palermos në Itali, tha nënpresidenti i vendit, Fuat Oktay, raporton Anadolu Agency.

"Komuniteti ndërkombëtar, për fat të keq, nuk mundi të arrijë një konsensus të martën në mëngjes. Disa (shtete) kanë ndërhyrë në mënyrë të njëanshme në proces duke keqpërdorur takimin që u organizua në Itali", tha Oktay para gazetarëve.

"Për sa kohë që disa vende vazhdojnë ta dëmtojnë procesin për përfitime të veta, stabiliteti nuk mund të sigurohet në Libi", shtoi ai.

Oktay tha se ishte qëndrim shumë "mashtrues" dhe "dëmtues" që një takim jozyrtar u mbajt në mes të disa palëve këtë mëngjes dhe këto palë u përfaqësuan si aktorë kryesorë në rajonin e Mesdheut.

"Ndryshe, ne jemi të hapur për një dialog të gjerë me të gjithë aktorët në Libi dhe rajon", shtoi nënpresidenti turk.

Më 12-13 nëntor, në Palermo u organizua një konferencë ndërkombëtare që synon të kontribuojë në rivendosjen e paqes në Libi.