Reagon Rusia pas zgjedhjeve në SHBA

Bota November 07, 2018 - 17:07
Lexo Detajet

Qeveria ruse ka dërguar një mesazh pesimizmi në lidhje me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, pasi demokratët morën kontrollin në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e së martës. Këto rezultate i japin Partisë Demokratike shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, një ndryshim që pritet ta pengojë agjendën legjislative të Donald Trumpit.

“Është e drejtë të kemi besim të mjaftueshëm se perspektiva e normalizimit të marrëdhënieve mes Rusisë dhe SHBA-së nuk duket shumë shpresëdhënëse në horizont”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov të mërkurën, kur iu kërkua që ta komentojë fitoren e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve.

Megjithatë, ai shtoi se Rusia mbetet e hapur për dialog.

“Ne kemi shumë probleme para nesh të cilat kërkojnë komunikimin tonë. Këto janë probleme të sigurisë strategjike dhe kontrollit të armëve dhe nuk do të zhduken vetvetiu, pa bisedimet tona”, tha ai në një konferencë para gazetarëve, transmeton Gazeta Express.

Rusia kishte deklaruar se marrëdhëniet me SHBA-në janë në nivelin më të ulët ndonjëherë gjatë muajve të fundit kur Obama ishte në pushtet, në periudhën kur dolën në skenë akuzat për ndërhyrje të Rusisë në zgjedhjet e SHBA-së.

Pasi Trumpi erdhi në pushtet, Rusia ka deklaruar disa herë se synon t’i rivendosë lidhjet me SHBA-në. Në anën tjetër, gjatë një samiti në Helsink verën e kaluar, Trumpi kishte refuzuar që ta mbështesë vlerësimin e shërbimeve inteligjente se Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhje.

Pritet që liderët e dy shteteve të takohen dy herë brenda këtij muaji. Së pari, ata do të takohen në Paris këtë fundjavë për ta shënuar mbarimin e Luftës së Parë Botërore, ndërsa më vonë do të takohen në Samitin G20 në Buenos Aires të Argjentinës.

Marrëdhëniet mes dy vendeve nuk kanë qenë në nivel të kënaqshëm viteve të fundit dhe nuk pritet ndonjë përmirësim i theksuar as në muajt në vazhdim, duke marrë parasysh faktin se SHBA-ja ka paralajmëruar sanksione të reja kundër Rusisë.