Erdogan: Turqia nuk do të ndalet për të zbardhur vrasjen e Khashoggit

Bota November 02, 2018 - 21:27
Lajmet e fundit nga bota

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka shkruar në opinion në prestigjiozen amerikane The Washington Post, në të cilin ka folur rreth vrasjes ende të pasqaruar të gazetarit Jamal Khashoggi, në konsullatën e Arabisë Saudite, në Stamboll.

Erdogan ka thënë se gjatë muajit të kaluar Turqia ka lëvizur tokën dhe qiellin për të hedhur dritë mbi gjithçka rreth vrasjes së Khashoggit. Si rezultat i këtyre përpjekjeve, thotë Erdogan, bota e di që vrasja e Khashoggit u krye me gjakftohtësi dhe me paramendim, nga një ekip.

“Ne e dimë se autorët janë në mesin e 18 të dyshuarve të arrestuar në Arabinë Saudite. Ne gjithashtu e dimë se ata individë erdhën për të kryer urdhrin: mbyteni Khashoggin dhe largohuni. Së fundi, ne e dimë se urdhri për të vrarë Khashoggin erdhi nga nivelet më të larta të qeverisë saudite”, ka shkruar tutje presidenti turk.

Erdogan ka thënë se janë shumë pyetje që mbesin pezull, si ajo se ku është trupi i tij, kush janë “bashkëpunëtorët vendorë”, e kush dha urdhër për vrasjen e tij.

“Për fat të keq, autoritetet saudite kanë refuzuar t’i përgjigjen këtyre pyetjeve”, ka thënë Erdogan në opinionin e tij në The Washington Post, përcjell Koha.net. Ai ka thënë se dikush mund të shpresojë se ky “problem” do të zhduket me kalimin e kohës. Por ka thënë se Turqia do të vazhdojë të bëjë këto pyetje.

“I detyrohemi familjarëve dhe miqve të tij, duke përfshirë kolegët e tij në The Post, për t’u dhënë atyre mundësinë që t’i japin lamtumirën dhe respektin e tyre këtij njeriu të nderuar”, ka thënë Erdogan. “Për të siguruar që bota do të vazhdojë të bëjë të njëjtat pyetje, ne kemi ndarë dëshmi me miqtë dhe aleatët tanë, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara”, ka shtuar më tej.

Në ndërkohë ai ka thënë se Turqia e Arabia Saudite duhet të gëzojnë marrëdhënie të mira shtetërore.

“Për asnjë sekondë nuk besoj se Mbreti Salman, kujdestar i xhamive të shenjta, urdhëroi vrasjen e Khashoggit. Prandaj, nuk kam asnjë arsye të besoj se vrasja e tij pasqyron politikën zyrtare të Arabisë Saudite”, ka thënë ai.

Por Erdogan ka thënë se “askush nuk duhet të guxojë të kryejë më akte të tilla në tokën e një aleati të NATO-s”.

“Nëse dikush zgjedh ta injorojë këtë paralajmërim, do të përballet me pasoja të rënda”, ka thënë Erdogan.

Opinionin e tij, Erdogan e mbyll duke thënë se “në vrasjen e Jamal Khashoggit ka shumë më tepër të përfshirë se sa një grup i zyrtarëve të sigurisë, siç skandali Watergate ishte më i madh se sa vetëm një ndërhyrje dhe siç sulmet terroriste të 11 shtatorit shkonin përtej rrëmbyesve të aeroplanëve”.