MEE: Truproja e Bin Salmanit i ka bartur pjesët e trupit të gazetarit në Riad

Bota October 22, 2018 - 12:08
Lexoni lajmet e fundit nga bota!

Autoritetet turke besojnë se pjesët e trupit të gazetarit të vrarë Jamal Khashoggi janë bartur nga Turqia dhe se këtë e ka bërë një prej truprojave të princit saudit, trashëgimtarit të fronit Mohammed bin Salman, kanë thënë burimet për gazetën “Middle East Eye”.

Besohet se Maher Abdulaziz Mutrib, agjenti i cili dyshohet se është i përfshirë në vrasje të gazetarit saudit, i ka bartur pjesët e trupit me një valixhe të madhe, pretendojnë burimet.

Mutrib, i cili shpesh mund të shihet nëpër udhëtime me Bin Salmanin, e ka braktisur Stambollin më 2 tetor, pasi është vrarë Khashoggi, dhe ka fluturuar me aeroplan privat në orën 18:20.

Valixhet e tij nuk janë kontrolluar, sepse ka kaluar nëpër daljen VIP në aeroportin “Ataturk”, dhe nuk është kontrolluar as aeroplani, pasi ka fluturuar para se është marrë vesh për zhdukjen e gazetarit.

Aeroplani i dytë është kontrolluar në detaje, por asgjë nuk është gjetur në të, transmetojnë burimet.

Dukej se Mutrib, i cili ka pasaportë diplomatike, ishte duke u ngutur, shtojnë burimet.

Zyrtarët anonim saudit kanë thënë për medie sa trupi ishte i pështjellur me një tepih dhe i ishte dorëzuar “bashkëpunëtorëve lokal”, që ta heqin qafe.

Mirëpo, burimi turk ka thënë për “Middle East Eye” se trupi i gazetarit ishte prerë në 15 copë dhe se nuk ishte i pështjellur me tepih.

Autoritetit turke dëshirojnë ta gjejnë së paku një pjesë të trupit të Khashoggit.

Tashmë me ditë të tëra policia po i heton vendet e caktuara, siç janë konsullata dhe rezidenca e konsullit gjeneral në Stamboll, i cili e ka braktisur Turqinë.

MEE pretendon se prokurori turk ka mbledhur mjaftë prova ta akuzojë për vrasje çdonjërin nga 15 anëtarët e ekipit i cili kishte arritur në Stamboll para zhdukjes së gazetarit.

Mirëpo, pret gjetjen e trupit, apo së paku të ndonjë pjese të trupit, para se ta publikojë raportin e saj.

Arabia Saudite ka kumtuar se Khashoggi ka vdekur gjatë “grindjes” në konsullatë dhe se për këtë i ka arrestuar 18 persona, por nuk ka pranuar pretendimet e Ankarasë se gazetari është torturuar, vrarë dhe copëtuar, dhe se trupi i tij është fshehur.

Riadi nuk ka pranuar as pretendimet e medieve turke se një grup prej 15 personave është dërguar nga Arabia Saudite në Stamboll ta vrasë Khashoggin, i cili për herë të parë është parë më 2 tetor si po hynë në konsullatën saudite për të marrë dokumente për kurorëzim.

Shumë njerëz dhe organizata ndërkombëtare kanë shprehur dyshimin në besueshmëri të pretendimeve të Riadit.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se të martë do të publikojë detajet e hetimeve turke mbi vdekjen e Jamal Khashoggit në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll./Insajderi