Bota

Zhdukja e gazetarit, hetuesit turq bastisin sërish konsullatën saudite

Zhdukja e gazetarit, hetuesit turq bastisin sërish konsullatën saudite
18 tetor 2018 • 13 : 03

Hetuesit turq bastisën të enjten sërish konsullatën saudite në Stamboll - për herë të dytë këtë javë - në kuadër të hetimeve të zhdukjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.

Khashoggi, kritik i udhëheqjes saudite, u pa për herë të fundit më 2 tetor, duke hyrë në këtë konsullatë.

Të mërkurën, mediat pro-qeveritare turke publikuan akuzat se Khashoggi, banor i Shteteve të Bashkuara dhe kontribuues në gazetën Washington Post, "është vrarë gradualisht, duke u gjymtuar, nga një skuadër saudite vrasëse".

Riadi i mohon akuzat.

Hetuesit kontrolluan edhe kopshtin dhe makinat e konsullatës, thanë dëshmitarët.

Hetuesit, po ashtu, kontrolluan rezidencën e konsullit saudit, Muhammad al-Otaibi. Ky i fundit u largua nga Turqia me një fluturim komercial, më 16 tetor.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ka kërkuar nga Turqia një audio-incizim, për të cilin kjo e fundit ka thënë se ofron dëshmi të fuqishme se Khashoggi është vrarë në konsullatën saudite në Stamboll.

Arabia Saudite është një nga aleatët më të afërt të Uashingtonit dhe zhdukja e Khashoggit duket se e ka vënë administratën Trump në një pozitë të vështirë.

© zëri.info