Sekretari amerikan Pompeo nis takimet për rastin Khashoggi

Bota October 16, 2018 - 12:23
Lexoni më shumë detaje

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka nisur takimet e tij në Arabinë Saudite në lidhje me zhdukjen e gazetarit saudit të "Washington Post" pasi që ka hyrë në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll më 2 tetor, transmeton Anadolu Agency.

Në një deklaratë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite thuhet se sekretari amerikan Pompeo ka arritur në Rijad për të zhvilluar takime në lidhje me zhdukjen e gazetarit Khashoggi.

Pompeo në Rijad është pritur nga ministri i Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite Adel al-Jubeir dhe ambasadori i Arabisë Saudite në Washington, Princi Khalid bin Salman bin Abdulaziz.

Ministria publikoi fotografi për takimin e sekretarit Pompeo me homologun e tij saudit Jubeir, ndërkaq nuk u dhanë informacione në lidhje me detajet e takimit dhe kohëzgjatjen e vizitës së Pompeo-s.

Presidenti i SHBA-ve Donald Trump dje tha se ka udhëzuar Pompeon për të shkuar në Arabinë Saudite.

Pas vizitës së tij në Arabinë Saudite, Pompeo më 17 tetor do të vizitojë edhe Turqinë.

Gazetari dhe kolumnisti i “The Washington Post”, Jamal Khashoggi, i cili ka dhënë kontribute edhe për “Al Watan”, një platformë e rëndësishme për reformistët sauditë, u zhduk më 2 tetor pasi hyri në kompleksin e Konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll.