Në BE për tetë muaj shiten 10.8 milionë automjete

Bota September 23, 2018 - 09:50
Lexo detajet

Kërkesa për automjete të reja në pjesën e parë të këtij viti në Evropë është rritur me 6.1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, njoftoi Shoqata Evropiane e Prodhuesve të Automjeteve (ACEA).

Në periudhën tetë mujore 10.8 milionë automjete të reja janë regjistruar në 28 vende të BE-së, thonë nga ACEA.

Në tregjet më të mëdha, rritje është regjistruar në Spanjë me 14.6 për qind, Francë me 8.9 për qind dhe Gjermani me 6.4 për qind, ndërsa rënia në Itali me 0.1 për qind dhe Britani të Madhe me 4.2 për qind.

Pjesa më e madhe e shitjeve të automjeteve të pasagjerëve në tregun e BE-së prej 25.1 për qind u regjistrua nga VW Group me markat e saj Volkswagen, Audi, Porsche, Seat, Shkoda. Në vijim është grupi PSA (Peugeot, Citroen dhe Opel) me 15.9 për qind dhe Grupi Renault (Renault, Nissan, Dacia) me 10.9 për qind.

Gjatë vitit 2017 në BE janë shitur më shumë se 15 milionë automjete që është për 3.4 për qind në raport me vitin 2016.