Bota

Seksi, droga dhe të emëruarit e Gjykatës Supreme

Seksi, droga dhe të emëruarit e Gjykatës Supreme
21 shtator 2018 • 08 : 45

Lexoni lajmet më të fundit nga vendi, rajoni, bota....

Procesi i konfirmimit të gjykatësit të emëruar për Gjykatën Supreme të SHBA-së, Brett Kavanaugh, u trondit nga akuzat se ai ka sulmuar seksualisht një vajzë 15 vjeçe kur ka qenë adoleshent.

Por, kjo nuk është hera e parë që i emëruari i presidentit amerikan për Gjykatën Supreme përballet me skandale ose polemika gjatë procesit të konfirmimit.

Afro 25% e të emëruarve për Gjykatën Supreme nuk janë konfirmuar nga Senati amerikan për postin e përjetshëm gjyqësor, ashtu siç e kërkon Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara.

Robert Bork – Arsye ideologjike

Robert Bork është emëruar për gjykatës të Gjykatës Supreme nga presidenti Ronald Reagan, më 1987, për të mbushur vendin e zbrazët pas pensionimit të gjykatësit Lewis Powell.

Bork ka qenë në mesin e kandidatëve të parë që është refuzuar në baza ideologjike dhe jo për shkak të kualifikimeve gjyqësore.

Senatori Ted Kennedy, demokrat, e ka akuzuar publikisht Borkun për përfytyrimin e një Amerike ku “gratë do të detyroheshin të bënin aborte të paligjshme, njerëzit me ngjyrë do të uleshin në vende të ndara gjatë drekës dhe policia do të mund të thyente dyert e qytetarëve gjatë bastisjeve në mesnatë”.

Bork gjithashtu ka pasur bagazh politik si një veteran i Departamentit të Drejtësisë të presidentit Richard Nixon, sepse ai ka zbatuar urdhrin e Nixonit në vitin 1973 për të shkarkuar një prokuror të posaçëm të pavarur, që po hetonte skandalin e Watergate.

Komiteti Gjyqësor e ka dërguar emërimin e Borkut në Senatin e kontrolluar nga demokratët, ku është refuzuar.

Douglas Howard Ginsberg – Thithja e marihuanës

Pasi Senati ka hedhur poshtë emërimin e Borkut, Reagani, në tetor të vitit 1987, ka emëruar Douglas Howard Ginsbergun për të mbushur vendin bosh në Gjykatën Supreme.

Ginsberg ka shërbyer në role të ndryshme në administratën e Reaganit nga viti 1983 deri më 1986, përfshirë poste në Zyrën për Informacion dhe Çështje të Rregullatorit, Zyrën e Menaxhimit dhe Buxhetit dhe Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm.

Por, emërimi i tij ka dështuar pasi raportet e mediave kanë zbuluar se ai ka thithur marihuanë si student, gjatë viteve 1960, dhe si asistent profesori në Universitetin Harvard, gjatë viteve 1970.

Në mes të atij skandali, Ginsberg është tërhequr vetë nga shqyrtimi, duke hapur rrugën për emërimin dhe konfirmimin e gjykatësit Anthony Kennedy.

[Brett Kavanaugh]
Lexoni edhe këtë:

Gjykatësi që mund të formësojë Gjykatën Supreme dhe Amerikën në dekadat e ardhshme

Clarence Thomas – Akuza seksuale

Gjykatësi Clarence Thomas është emëruar nga presidenti George Bush më 1991, për të zëvendësuar gjykatësin Thurgood Marshall – amerikanin e parë me ngjyrë që ka shërbyer në Gjykatën Supreme.

Seanca për konfirmimin e Thomasit ka qenë një nga më të hidhurat në histori, pasi një rrjedhje e dokumenteve nga FBI ka zbuluar se Anita Hill, një nga ish-bashkëpunëtorët e tij në Komisionin për Mundësi të Barabarta Punësimi, e ka akuzuar atë për sjellje të keqe seksuale.

Ai është konfirmuar si gjykatësi i dytë me ngjyrë i Gjykatës Supreme me diferencën më të ngushtë të votave në historinë e konfirmimit në Senat: 52 me 48.

G. Harold Carswell – E kaluara e ndarjes

Presidenti Nixon ka bërë përpjekje ta emërojë G. Harrold Carswellin për gjykatës të Gjykatës Supreme, pas dorëheqjes së gjykatësit Abe Fortas, më 1969.

Por, aktivistët e të drejtave civile, gjatë seancave dëgjimore të Carswellit, kanë thënë se ai ka mbështetur ndarjen racore gjatë viteve 1940 dhe, si gjykatës federal, ka pasur histori të dobët në mbrojtjen e të drejtave civile.

Po ashtu i kritikuar si konservator “mediokër”, Carswell është refuzuar nga Senati.

Harriet Ellan Miers – Opozita dypartiake

Presidenti George W. Bush e ka emëruar këshilltaren e tij kryesore ligjore, këshilltaren e Shtëpisë së Bardhë, Harriet Ellan Miers, si zëvendësim për gjykatësen e pensionuar të Gjykatës Supreme, Sandra Day O'Connor, në vitin 2005.

Miers ka pasur lidhje të ngushta personale me Bushin, duke punuar si këshilltare e përgjithshme për ekipin e tij të tranzicionit kur ai është zgjedhur për herë të parë guvernator i Teksasit në vitin 1994. Ajo po ashtu ka shërbyer në poste të ndryshme në Shtëpinë e Bardhë nga viti 2001.

Por, emërimi i saj është kundërshtuar edhe nga republikanët, edhe nga demokratët, sepse ajo kurrë nuk ka qenë gjykatëse dhe nuk ka pasur njohuri të qarta për çështje të rëndësishme kushtetuese.

Kritikët po ashtu kanë thënë se Miers nuk i ka kuptuar pyetjet e komplikuara kushtetuese të bëra nga senatorët, para seancave të konfirmimit.

Kur ka dështuar ose refuzuar të përgjigjet në mënyrë të kënaqshme rreth koncepteve kushtetuese, edhe kryetari republikan, edhe demokrati kryesor i Komitetit të Senatit për Gjyqësi kanë thënë se përgjigjet e Miersit kanë qenë “të papërshtatshme, të pamjaftueshme dhe fyese”.

Vetëm tetë ditë pas emërimit të saj, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Miers i ka kërkuar Bushit që të tërheqë emërimin e saj dhe se Bush “ka pranuar me hezitim”.

Miers ka qenë e emëruara e parë për Gjykatën Supreme që është tërhequr nga shqyrtimi që nga skandali i Ginsburgut më 1987. Ajo ka qenë e emëruara e shtatë që është tërhequr nga procesi në historinë e Shteteve të Bashkuara. /REL

© zëri.info