Mesazhi i sekretarit Mattis për qytetarët e Maqedonisë

Bota September 18, 2018 - 09:21
Lexoni më shumë detaje

Sekretari amerikan i mbrojtjes James Norman Mattis, gjatë vizitës zyrtare në Maqedoni, ka deklaruar se referendumi, që do të mbahet më 30 shtator në Maqedoni, është vota më e rëndësishme në historinë e vendit

Mattis u prit me nderime të larta shtetërore nga kryeministri Zoran Zaev në pllajën e Qeverisë së Maqedonisë, ndërsa më pas realizuan një takim ku e pranishme ishte edhe ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.

Pas takimit, në konferencën e përbashkët për medie sekretari amerikan i mbrojtjes theksoi se kjo është vizita e tij e parë në Maqedoni si sekretar i SHBA-së dhe se është kënaqësi të takohet me kryeministrin Zaev dhe me ministren Shekerinska në “një moment me mundësi unike për vendin”.

Mattis u shpreh se Maqedonia sapo shënoi përvjetorin e pavarësisë së saj, kur në vitin 1991, siç tha ai, mbi 95 për qind e qytetarëve të vendit votuan në liri, duke shtuar se tani duhet të përdoret mundësia demokratike për të ecur në një të ardhme të re.

“Të citoj kancelaren Merkel, “përderisa votoni në referendum për anëtarësim në NATO ju jepni votën më të rëndësishme në historinë e kombit tuaj”. Ne e njohim procesin e zgjidhjes politike që qëndron para kombit tuaj. Ju mbështesim juve dhe miqtë tanë maqedonas në përgjegjësinë tuaj demokratike për të votuar. Siç tha sekretari i përgjithshëm Stoltenberg, duke u anëtarësuar në NATO do të keni vend të barabartë në aleancën ushtarake më të suksesshme në histori”, deklaroi Mattis.

Duke cituar sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, Mattis tha se anëtarësimi në NATO sjell siguri dhe zhvillim ekonomik më të fuqishëm.

“Bashkoheni me një Aleancë që angazhohet në zbatimin e standardeve për integritetin territorial dhe lirinë nga detyrimi i atyre që përpiqen të ulin këto vlera nga Siria deri në Ukrainë”, theksoi Mattis, duke shtuar se: “Ne jemi të ju mirëpresim si anëtare e 30-të, kryeministër Zaev”.

Maqedonia ka dëshmuar të jetë partner i përgjegjshëm

Më tej sekretari amerikan i mbrojtjes tha se bashkëpunimi midis dy vendeve është në rritje dhe përballet me sfida moderne, duke theksuar zgjerimin e bashkëpunimit midis Maqedonisë dhe SHBA-së në sigurinë kibernetike, e cila sipas tij “është një kërcënim për demokracinë e të dyja vendeve”.

Marrëdhëniet në fushën e mbrojtjes midis Maqedonisë dhe SHBA-së po ashtu i vlerësoi të fuqishme dhe tha se SHBA-ja e njeh udhëheqjen e vendit si fuqi të rëndësishme stabilizuese në Ballkan dhe më gjerë. Ai theksoi se Maqedonia ka dëshmuar të jetë partner i përgjegjshëm dhe kontribuues i rëndësishëm për paqen globale dhe sigurinë.

Ai e përshëndeti marrëveshjen për të zgjidhur çështjen e emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, duke vënë në dukje se ajo kërkonte diplomaci të durueshme nga të dyja vendet dhe se kompromiset janë gjithmonë të vështira.

Ndërkaq kryeministri Zaev tha se sekretari amerikan i mbrojtjes vjen në Maqedoni në një periudhë të jashtëzakonshme, kur qytetarët janë duke u përgatitur për të dhënë votën e tyre për pranimin e marrëveshjes për zgjidhjen e emrit me Greqinë. “Vendet e Ballkanit Perëndimor të integruar në familjen euroatlantike janë një garanci për një parandalim të qëndrueshëm të përfshirjes së palëve të treta këtu në rajon. Vazhdimisht i inkurajojmë liderët tonë rajonalë të bashkohen në arritjen e objektivave të përbashkëta, paqe të qëndrueshme, bashkëpunim rajonal, zhvillim ekonomik dhe integrim të kombeve në familjen euroatlantike”, deklaroi Zaev.

Ministrja Shekerinska tha se vizita e sekretarit Mattis dhe vendimi i tij që personalisht ta sjellë mbështetjen e SHBA-së në këtë moment historik për Maqedoninë është konfirmim i fuqishëm i partneritetit strategjik midis SHBA-së dhe Maqedonisë. “Vizita juaj është vizita e parë në Maqedoni e një sekretari amerikan të mbrojtjes në 14 vjetët e fundit. Për herë të parë në historinë tonë të pavarësisë, praktikisht për më pak se gjashtë muaj, sekretari amerikan i mbrojtjes dhe ministri maqedonas i mbrojtjes kishin dy takime, në Washington dhe në Shkup. E gjithë kjo tregon për partneritetin tonë strategjik, për angazhimin tuaj personal ndaj Maqedonisë dhe për anëtarësimin e saj në NATO”, tha Shekerinska.

Gjatë vizitës së tij në Maqedoni sekretari amerikan i mbrojtjes, James Norman Mattis, u takua edhe me presidentin e vendit, Gjorge Ivanov.

Mattis paraprakisht këtë javë paralajmëroi se do të vizitojë Maqedoninë për të shprehur mbështetje të qartë për referendumin e 30 shtatorit për çështjen e emrit, por edhe shqetësimin për shkak të përfshirjes së mundshme të Moskës në proces.

Ai ka dënuar përpjekjet e Rusisë duke përdorur paratë dhe ndikimin e saj për të forcuar palën opozitare ndaj referendumit në Maqedoni, që hap rrugën për anëtarësimin e vendit në NATO, një veprim që Moska e kundërshton.

Sekretari amerikan u tha gazetarëve që udhëtonin me të për në Shkup se nuk ka “kurrfarë dyshimi” se Moska financon grupe proruse me qëllim që referendumi për ndryshimin e emrit, i cili duhet të mbahet nga fundi i muajit, të mos ketë sukses.

Më 30 shtator qytetarët e Maqedonisë do të prononcohen në referendumin që është pjesë e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë, e cila parasheh ndryshimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut dhe që paraqet kushtin kryesor për anëtarësimin e vendit në NATO dhe çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian. /AA