Dalai Lama: Europa u takon europianëve

Bota September 13, 2018 - 18:23
Lexo detajet

Lideri spiritual i Tibetit, Dalai Lama, ka thënë të mërkurën se “Europa u takon europianëve” dhe se refugjatët duhet të kthehen në vendet e tyre respektive për t'i rindërtuar ato. 

Duke folur në një konferencë të qytetit të tretë më të madh suedez, Malmo, njëherësh strehim i shumë emigrantëve, Dalai Lama, i cili ka fituar çmimin NOBEL për Paqe më 1989, tha se Europa e ka detyrë “morale t’u ndihmojë refugjatëve nga rreziku i jetëve të tyre”.

“Strehoni ata, ndihmoni atyre dhe edukoni…por ata detyrimisht duhet të zhvillojnë shtetet e tyre”, tha 83-vjeçari tibetian, i cili vetë ka ikur në ekzil nga Lhasa, pas frikës për jetën e tij nga qeveria kineze, shkruan albinfo.ch. 

“Mendoj se Europa u takon europianëve”, tha ai, duke shtuar se refugjatëve duhet t’u bëhet e qartë se ata “duhet detyrimisht të ndërtojnë shtetet e tyre të origjinës”.

Suedia është vendi i cili ka pranuar më shumë të huaj për kokë banori, por kohët e fundit edhe atje partitë e djathta antiemigrante po rriten në mbështetje.