Juncker mban fjalimin e përvitshëm në Strasburg

Bota September 13, 2018 - 09:40
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi, rajoni, bota....

Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker para përfaqësuesve të Parlamentit Evropian mbajti fjalimin e tij vjetor mbi gjendjen e Bashkimit Evropian.

Në fjalimin e tij të katërt në mandatin e tij ai së pari komentoi arritjet në vitin e kaluar. Ai gjithashtu foli për problemet aktuale me të cilat ballafaqohet Bashkimi, duke përfshirë edhe krizën e emigrantëve, si dhe paraqiti vizionin e tij për të ardhmen e Bashkimit Evropian.

“Siç thashë, bota e sotme ka nevojë për një Evropë të fortë dhe të bashkuar, një Evropë që punon për paqen, marrëveshjet tregtare, marrëveshjet monetare të qëndrueshme, edhe në qoftë se dikush tjetër diku u shmanget luftërave monetare. Nuk më pëlqen kur njerëzit nuk interesohen për interesat e tyre! Nëse Evropa e kupton më mirë rëndësinë e saj politike, ekonomike dhe ushtarake të kombeve dhe të popujve të saj më kurrë nuk do të jemi të vetmuar në skenën globale. Dhe ky është çmimi që ne jemi të gatshëm të paguajmë”, tha ai.

BE-ja, 10 mijë trupa në kufi

Bashkimi Evropian planifikon të përforcojë me 10 mijë trupa të tjerë rojet kufitare për të ndalur emigrimin e paligjshëm deri në vitin 2020.

Duke folur në fjalimin e përvitshëm të “gjendjes së Bashkimit Evropian”, presidenti i Komisionit Jean-Claude Juncker theksoi gjithsesi se nuk dëshiron që të militarizojë Evropën.

Por, ai bëri thirrje për më shumë solidaritet në vend të “zgjidhjeve ad-hoc” për njerëzit që vijnë drejt Evropës me gomone a varka të papërshtatshme për lundrim, duke ndërmarrë udhëtime të rrezikshme për jetët e tyre.

Fjalimi i tij preku gjithashtu edhe çështjet më të ndjeshme të bllokut, si populizmi, terrorizmi dhe pa dyshim Brexiti.

Në atë që shënon periudhën e fundit 12-mujore të tij në detyrë Juncker propozoi gjithashtu një aleancë të re mes Evropës dhe Afrikës, duke u bazuar mbi bashkëpunimin dhe jo bamirësinë, që do të çojë drejt një marrëveshjeje për tregtinë e lirë mes dy kontinenteve.

Ai rekomandoi gjithashtu që monedha e përbashkët euro të përdoret në mënyrë më strategjike, duke qenë se është monedha më e fuqishme pas dollarit amerikan.

Por, mbi të gjitha ai bëri thirrje për një lidership të fuqishëm sa i përket çështjes Brexit.

“Ne i kërkojmë qeverisë britanike të kuptojë se dikush që largohet nga unioni nuk mund të jetë në të njëjtin pozicion të privilegjuar me një vend anëtar”, tha ai. “Nëse largohesh nga unioni, atëherë po zgjedh të mos jesh më pjesë e tregut tonë të përbashkët e pa dyshim jo në pjesë të caktuara që ti mund të zgjedhësh nga torta e tërë”.

Që prej fillimit të mandatit të Komisionit Evropian, në vitin 2014, emigracioni ka qenë njëra nga krizat më të rënda. Ajo ka çuar drejt rritjes së populizmit dhe ka sjellë ndryshim qeverish në Itali, në Austri, në Hungari e në Poloni, ndërkohë që Suedia është vendi i fundit që regjistron një rritje të votave për partitë antiemigracion në një palë zgjedhje.

Menjëherë pas fjalimit të tij Parlamenti Evropian vendosi të ndërmarrë procedura disiplinore kundër Hungarisë për shkeljen e vlerave demokratike të unionit. Komisioni, ndërkohë, ka nisur procedimet disiplinore ndaj Polonisë për shkak të reformave, që sipas BE-së sfidojnë sundimin e ligjit. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare për PE-në priten të mbahen në fund të muajit maj të vitit të ardhshëm.

Ballkanin Perëndimor nuk duhet lënë pas dore

Bashkimi Evropian duhet të jetë unik sa i përket anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor, në të kundërtën të tjerët do ta marrin mbi vete për t’ia formësuar atij një mjedis më të afërt, ka thënë presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

“Nuk duhet ta neglizhojmë këtë rajon, pasi të tjerët do të rrisin ndikimin e tyre”, ka deklaruar Junker në fjalimin e tij për gjendjen në BE para Parlamentit Evropian.

“Një herë e përgjithmonë duhet të gjejmë unitetin kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor”, u tha eurodeputetëve presidenti i Komisionit Evropian.

Junker ka theksuar se BE-ja nuk duhet të ndalë përpjekjet për ndërtimin e një Evrope të bashkuar, duke vënë theksin te fakti se Evropa mund të sjellë stabilitet, siç ka bërë deri tash me procesin e zgjerimit të saj.