Siri, vazhdojnë sulmet ajrore ruse

Bota September 10, 2018 - 12:40
Lexo detajet

Të paktën 17 persona janë plagosur në sulmet e kryera nga Rusia dhe regjimi i Bashar al Asadit ndaj qyteteve Idlib në verperëndim dhe Hama në pjesën qendrore të Sirisë, raporton Anadolu Agency.

Sipas informacioneve që posedon gazetari i AA-së nga burimet lokale, avionët luftarakë rusë dhe të regjimit sirian si dhe helikopterët e regjimit duke filluar nga orët e mëngjesit po kryejnë sulme ajrore ndaj rajoneve Habit, Cercenaz, Hish dhe Temenia në jug të Idlibit si dhe ndaj rajonit Latamne të Hamas. Si pasojë e këtyre sulmeve janë plagosur të paktën 17 civilë. Në mesin e këtyre personave janë 2 fëmijë të cilët janë plagosur në sulmin ajror ndaj një shkolle në qytezën Cercenaz.

Drejtori i Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardha), Mustafa Haxh Jusuf në një deklaratë për AA tha se “Në sulmet ajrore që nga orët e mëngjesit e deri më tani janë plagosur 17 civilë, shumica prej tyre fëmijë dhe gra”.

Në mesazhin e zyrtarëve të Observatorit të avionëve të opozitarëve, të publikuar nga rrjetet sociale thuhet se “Helikopterët dhe avionët luftarakë të regjimit të Asadit dhe avionët luftarakë rusë të cilët janë nisur nga baza ushtarake Himeymim kanë kryer sulme ajrore ndaj vijave të frontit të opozitarëve dhe vendbanimeve civile në jug të Idlibit dhe në Hama. Shkollën në qytezën Cercenaz e kanë goditur avionët luftarakë të regjimit sirian".

Vazhdojnë sulmet ajrore të helikopterëve dhe avionëve luftarakë.

Gjatë 9 ditëve të fundit 29 civilë të vdekur

Sipas burimeve të Mbrojtjes Civile, në sulmet ajrore dhe tokësore në perëndim dhe jugperëndim të Idlibit dhe në veri të Hamas, duke filluar nga fillimi i këtij muaji kanë humbur jetën 29 civilë ndërsa të paktën 81 të tjerë janë plagosur.

Idlibi, qytet në veriperëndim të Sirisë i cili ndodhet nën kontrollin e opozitarëve ushtarakë dhe të grupeve të armatosura kundër regjimit, në takimin e Astanas më 4-5 maj të vitit 2017 është shpallur “zonë e deeskalimit”. Mirëpo, regjimi dhe kohë pas kohe Rusia vazhdojnë të kryejnë sulme ajrore ndaj rajonit.