700 metra mbi nivelin e detit, aty ky lindi feja islame

Bota August 21, 2018 - 18:52
Lexo detajet

Rreth 700 metra mbi nivelin e detit, në Mekë ndodhet një shpellë ku mendohet se Profeti Muhamet kaloi i vetmuar pjesën më të madhe të meditimit të tij.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi, disa prej pelegrinëve që marrin pjesë në udhëtimin e përvitshëm të haxhillëkut drejt qytetit të shenjtë në Arabinë Saudite, provojnë edhe ngjitjen drejt shpellës në majën e malit, ku besohet se filluan zbulesat e përshkruara në Kuran.

Në majën e malit al-Nour në Mekë gjendet një shpellë e vogël ku mendohet se lindi feja islame. Është e vështirë ngjitja në lartësinë rreth 700 metra mbi nivelin e detit, për të arritur te vendi që myslimanët besojnë se vizitohej shpesh nga Profeti Muhamet.

“Është e papërshkrueshme. Është i paimagjinueshëm ndikimi i tij ndaj kësaj bote. Dhe nga këtu filloi gjithçka. Është shumë eksperiencë përulëse. As nuk na takon të qëndrojmë këtu”, thotë Nasser Mahmoud, nga Shtetet e Bashkuara.

Haxhillëku është pelegrinazhi i përvitshëm drejt qytetit të shenjtë të fesë islame, Mekës. Është një detyrim për myslimanët që duhet ta përmbushin të paktën një herë në jetë. Ngjitja për tek shpella e Heras nuk është pjesë zyrtare e këtij rituali, por besimtarët rrugëtojnë këtu si në kohën kur islami pati fillimet e tij.

“Kjo ishte një ngjitje që profeti i shenjtë e bënte rregullisht. Është e mahnitshme që ai dhe e shoqja e tij Kadija, e bënin këtë rregullisht në moshën që kishin. Të motivon që t’ia arrish të ngjitesh në majë”, thotë Abdelmeguid Malek nga Shtetet e Bashkuara.

Shtegu mund të ngjitet për rreth 40 minuta dhe sipas traditës, shumica e njerëzve nuk janë të pajisur me veshje alpinizmi. Temperatura mesatare këtë javë në Mekë është rreth 42 gradë celsius.