Paralajmëron këshilltari i Trumpit: 4 shtete mund të ndërhyjnë në zgjedhjet amerikane

Bota August 20, 2018 - 19:52
Lexo detajet

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Presidentit Donald Trump shprehu shqetësimin se katër vende mund të përpiqen të ndërhyjnë në zgjedhjet e ardhshme amerikane. Siç njofton Zëri i Amerikës, Marcus Harton, krahas Rusisë, u përmendën edhe Kina, Irani dhe Koreja e Veriut.

Agjencitë amerikane të zbulimit kanë akuzuar Rusinë se u përpoq të ndikonte tek votuesit amerikanë gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. Ato thonë se e njëjta gjë mund të ndodhë edhe gjatë zgjedhjeve të mesmandatit të këtij viti.

“Fokusi ynë sot është që të informojmë popullin amerikan se e pranojmë ekzistencën e këtij kërcënimi. Është i vërtetë. Është i vazhdueshëm. Ne po bëjmë gjithkça mundemi për të patur një proces zgjedhor legjitim në të cilin mund të ketë besim populli amerikan”, njoftoi gazetarët Drejtori për Zbulimin Kombëtar, Dan Coats.

Sipas Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare John Bolton, krahas Rusisë, edhe tre fuqi të tjera mund të ndërhyjnë në zgjedhjet e këtij viti.

“Mund të them me siguri se ka shqetësime të mjaftueshme për sigurinë kombëtare rreth ndërhyrjes kineze, iraniane dhe koreanoveriore, për të cilat kemi ndërmarrë hapa parandalimi… Për zgjedhjet e 2018-ës, këto janë katër vendet për të cilat shqetësohemi më shumë”, tha zoti Bolton.

Presidenti Donald Trump shkruante në Twitter të shtunën se të marrët fokusohen vetëm tek Rusia.

Zoti Bolton tha se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë gjithçka për t’u përballur me ndërhyrjen e huaj.

“Ka qenë prioriteti im që të sigurohemi se po shfrytëzojmë të gjitha aftësitë tona për të mbrojtur jo vetëm zgjedhjet, por edhe një sërë sistemesh të tjera në Shtetet e Bashkuara, të ekspozuara ndaj operacioneve të luftës kibernetike në sektorin qeveritar dhe atë privat”, tha zoti Bolton.

Zoti Bolton tha se ai do ta ngrejë sërish çështjen e ndërhyrjes në zgjedhje kur të takohet me të dërguarin e Rusisë, këtë javë në Gjenevë