Bota po i largohet paqes

Bota August 15, 2018 - 10:04
Lexoni më shumë detaje

Me fundin e Luftës së Ftohtë në fillim të viteve 1990, disa studiues perëndimorë parashikuan një botë më paqësore, me dominimin e plotë të demokracisë liberale. Por gjetjet e Indeksit Global të Paqes, sugjerojnë të kundërtën.

Raporti i dymbëdhjetë i Indeksit Global të Paqes (GPI), raporton se niveli global i paqes, u përkeqësua me 0.27 për qind vitin e kaluar. Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, rajonet më paqësore në botë, shënuan rënie të nivelit ë tyre të paqes për të tretin vit radhazi. Por kjo nuk është thjesht një rënie 1-vjeçare. Përkundrazi, është pjesë e një prirjeje 10-vjeçare:paqja globale, është përkeqësuar me 2.38 për qind që nga viti 2008.

Instituti për Ekonomi dhe Paqe (IEP), një think-tank i pavarur me qendër në Sidnej të Australisë, ka botuar raportet vjetore të GPI për 13 vitet e fundit. Duke mbuluar 99.7 për qind të popullsisë botërore, indeksi rendit 163 shtete dhe territore të pavarura në tri fusha – siguria në shoqëri, përfshirja në konfliktet e vazhdueshme dhe militarizimi – sipas 23 treguesve cilësorë dhe sasiorë. Përveç prezantimit të gjetjeve për vitin e kaluar, botimi i këtij viti përfshin gjithashtu edhe analizat e tendencave në paqen pozitive:qasjet, institucionet dhe strukturat që krijojnë dhe mbështesin shoqëritë paqësore.

Rezulton se shumë më tepër sesa prirja e të pasurve për t’u bërë më të pasur, dhe të varfërve për t’u bërë më të varfër, vendet më paqësore po bëhen më paqësore, ndërsa ato më pak paqësore po bien më tej në renditje. Arsyet kryesore për përkeqësimin e paqes globale, janë konfliktet e vazhdueshme të dhunshme.

Një shekull pas Luftës së Parë Botërore, teatri i luftës është zhvendosur nga konfliktet ndërshtetërore në Evropë, drejt luftërave të ndërkombëtarizuara civile, dhe dhunës terroriste në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Amerikën Latine. Fuqitë ndërkombëtare, janë të përfshira në një të tretën e të gjitha konflikteve të armatosura. Njëherazi, një rritje dramatike e vdekjeve, shumica e të cilave janë civilë, ka ndodhur vetëm në një numër të vogël vendesh. Kjo duhet të shpjegojë edhe arsyen, se përse vendet fatkeqe si Afganistani, Siria dhe Iraku, dominojnë në renditjen e 5 vendeve të fundit në klasifikim.

Mbështetja e këtyre niveleve të larta të dhunës, vjen me një kosto ekonomike, të cilën GPI e vlerëson në rreth 14.76 trilionë dollarë për vitin 2017:rreth 2.000 dollarë për person në planet. Merrni për shembull kostot e dhunës në Akullnajën Siaçin, me një shtrirje prej 50 miljesh në Himalalaja, burim i një konflikti të pakuptimtë mes dy vendeve të armatosura bërthamore, Pakistanit dhe Indisë. Studiuesi Saxhad Pader, vlerëson se 1 ushtar pakistanez vdes çdo 4 ditë, dhe 1 ushtar indian në disa ditë më tepër – vetëm për shkak të kushteve ekstreme të motit mbi akullnajë, edhe pa pasur asnjë të shtënë armësh. India dhe Pakistani, shpenzojnë së bashku rreth 350 milionë dollarë çdo vit për të mbajtur ushtarët e tyre atje, në kushte të tmerrshme atmosferike, me temperatura që arrijnë deri në 70 gradë nën zero.

Asistent profesori Hepimon Xhejkob në Universitetin Xhauahir Lal Nehru në Nju Delhi, Indi, argumenton se ky pozicionim ushtarak është “kryesisht simbolik dhe politik, dhe jo strategjik apo ushtarak”. Konfliktet e panumërta në Lindjen e Mesme, kanë ndikuar mbi Siri dhe Irak, por efekti i përhapjes së këtyre konflikteve, ka kontribuar gjithashtu në përkeqësimin e situatës në radhët e vendeve më paqësore dhe më të pasura. Duke komentuar këtë ndërlidhje në një botë më të globalizuar, eksperti i Lindjes së Mesme Filis Benis shpjegon se “Europa dhe Lindja e Mesme nuk janë më të ndara”. Konflikti sirian është më shumë se sa një luftë civile. Ai është gjithashtu një konflikt rajonal, sektar dhe global ku Turqia, Irani, Arabia Saudite, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordania, janë të gjitha të përfshira”.

Përpos vendeve të përfshira drejtpërsëdrejti, konflikti sirian vazhdon të prekë në mënyrë të tërthortë edhe vendet e tjera, duke prodhuar më shumë se 6 milionë refugjatë në të gjithë botën. “Konfliktet e dhunshme në Lindjen e Mesme, kanë prekur kudo qeverisjet dhe shoqëritë, sidomos Shtetet e Bashkuara, që kanë miratuar ligje të diskutueshme si ndalimi i udhëtimit të njerëzve nga disa vende myslimane”- shton Benis. “Është e qartë se të drejtat e njeriut, janë hequr nga lista e prioriteteve, duke u zëvendësuar me nacionalizmin”.

Ndërkohë Shtetet e Bashkuara, kanë një shfaqje shumë të dobët në GPI. Renditja e saj është në vendin e 121, pikërisht mbi Mianmarin, dhe shumë më poshtë Hondurasit, El Salvadorit, Ruandës dhe Burkina Fasos. Megjithëse Shtetet e Bashkuara, kanë bërë keq në aspektin e sigurisë dhe të konfliktit të vazhdueshëm, radhitja e saj në fushën e militarizimit është veçanërisht e tmerrshme:e katërta nga poshtë, poshtë Sirisë dhe më lart vetëm se Koreja e Veriut, Rusia dhe Izraeli.

“Shtetet e Bashkuara shpenzojnë më shumë për ushtrinë e saj, se çdo vend tjetër në botë. Në një kohë që politikanët e saj, pretendojnë të mos jenë në gjendje të përballojnë masa si kujdesi shëndetësor universal, dhe arsimimi i lartë i lirë ose me kosto të ulët. që janë të zakonshme në vende të tjera të pasura”- vëren Lindsej Koshgarian, drejtore e programit për Projektin e Prioriteteve Kombëtare .

Disa rajone dhe vende kanë përmirësuar indeksin e tyre të paqes. Vendet në Evropën Lindore, përmirësuan rezultatet e tyre, ndërsa Azia e Paqësorit e ruajti pozitën e saj si rajoni i tretë më paqësor në botë. Shik Dambah, anëtar i institutit Udrou Uillson, është optimist për përmirësimin e përgjithshëm të kushteve njerëzore.

“Uria, varfëria, vdekshmëria foshnjore kanë rënë ndjeshëm, dhe demokracitë janë shfaqur në pjesën më të madhe të botës”- thekson ai.

Megjithatë, pavarësisht rënies së mprehtë të konflikteve ndërshtetërore dhe vdekjeve të personelit ushtarak, numri i madh i vdekjeve të civilëve në luftërat civile, vazhdon të paraqesë një kërcënim.

Dambah është gjithashtu i shqetësuar mbi garën e re të armatimeve midis Kinës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

“Aeroplanmbajtësja e sapondërtuar amerikane G.R.Ford, kushtoi plot 13 miliardë dollarë, dhe me 2 të tjera që janë në ndërtim, dhe koston e blerjes së avionëve F-35, shpenzimet shkojnë në 406 miliardë dollarë”- vëren ai.

“Dobishmëria aktuale luftarake e këtyre armëve dhe sistemeve të tjera në një klimë të luftës asimetrike, është e diskutueshme, por përfitimi i industrisë së armëve është i qartë. Mjerisht, kur prodhohen këto mjete të shkatërrimit, disa mund të ndihen të detyruar t’i përdorin ato. Ekziston një rrezik i madh, dhe ka lindur nevoja për një thirrje për një lëvizje të re për paqen”.