Fillon zbatimi i sanksioneve amerikane ndaj Iranit

Bota August 07, 2018 - 13:20
Lexo detajet

 Të martën ka filluar zyrtarisht zbatimi i pakos së parë të sanksioneve të cilat Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i zbatojnë Iranit pas tërheqjes nga marrëveshja bërthamore, raporton Anadolu Agency.

Pakoja e parë e sanksioneve ka të bëjë me bllokimin e transaksioneve financiare, tregtinë me çelik, qymyr, alumin, importet e avionëve komercial dhe pjesëve të tyre rezervë, ndërsa hyri në fuqi në mesnatë, sipas kohës lokale në Washington. 

Në mënyrë shtesë, sanksionet parashohin që kompanive të huaja t’u pengohet hyrja në tregun iranian të industrisë së automobilave, ndërkohë që embargoja përfshinë edhe ndalesën e importit në Amerikë të qilimave të punuara në dorë dhe ushqimeve iraniane. 
Administrata amerikane bëri të ditur se do të zbatojë sanksione edhe ndaj atyre shteteve të cilat do të vazhdojnë të tregtojnë me Iranin pavarësisht embargos. 
Pakoja e dytë e sanksioneve do të hyjë në fuqi më 5 nëntor, dhe parasheh një goditje të re për ekonominë iraniane, e cila është në prag të krizës. 
Ministri iranian i Punës, Ali Rebi, ditë më parë tha se sanksionet mund të lënë pa punë miliona iranianë. 
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, më 8 maj tha se vendi i tij tërhiqet nga marrëveshja e arritur me Iranin. 
Pas njoftimit që bëri se SHBA-të do të rivendosin sanksionet ndaj Iranit, në 90 ditët e ardhshme, sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, tha se kompanive Boeing dhe Airbus do t’u merren licencat për t’i shitur avionë Iranit.