Amerika sanksionon zyrtarët turq

Bota August 01, 2018 - 22:35
Lexo detajet

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj Ministrit të Drejtësisë, Abdulhamit Gul, si dhe Ministrit të Brendshëm të Turqisë, Sulejman Soylu, lidhur me burgimin e pastorit amerikan, Andrew Brunson.

Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha se këta burra kanë luajtur rolin kryesor në arrestimin dhe ndalimin e Brunsonit në vitin 2016.

“Paraburgimi i padrejtë i pastorit Brunson dhe përndjekja e vazhdueshme nga zyrtarët turq është thjesht e papranueshme”, tha sekretari i Thesarit, Stiven Mnukin, në një deklaratë ku njoftoi zyrtarisht për kufizimet financiare.

“Presidenti Trump e ka bërë mjaftë të qartë se Shtetet e Bashkuara presin që Turqia ta lirojë atë menjëherë”.

Gjykata turke hodhi poshtë kërkesën e Brunsonit për t’u liruar nga arresti shtëpiak. Turqia e ka arrestuar Bronsonin nën akuzat se ai kishte qenë pjesëmarrës në puqin e dështuar që ndodhi gjatë vitit 2016.

Sekretari amerikan, Mike Pompeo, bisedoi me homologun e tij turk në telefon dhe ata planifikuan që të takohen këtë javë gjatë mbledhjeve të ASEAN në Singapor, deklaroi zëdhënësja Heather Nauert.