Trump i përgjigjet presidentit iranian Ruhani

Bota July 23, 2018 - 11:13
Lexo detajet

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i është përgjigjur deklaratave të djeshme të presidentit iranian Hasan Ruhani gjatë një fjalimi para ambasadorëve dhe përfaqësuesve të misioneve diplomatike në kryeqytetin Teheran, transmeton AA.

Trump nëpërmjet llogarisë së tij në rrjetin social Twitter ka bërë një postim adresuar homologut të tij iranian me titull "Drejtuar presidentit të Iranit Ruhani".

"Asnjëherë më mos i kërcënoni SHBA-të, sepse do të përjetoni pasoja të cilat pakkush gjatë historisë i ka vuajtur. Nuk jemi më një vend që do t'i tolerojmë fjalët tuaja të çmendura të dhunës dhe vdekjes. Kini kujdes", ka shkruar Trump.

Ndryshe, Ruhani kishte thënë se populli i Iranit nuk do të gjunjëzohet ndaj provokimeve kundër interesave dhe sigurisë së vendit të tij, ndërsa Trumpin e kishte përshkruar si "tiran i rremë".

"Paqja me Iranin do të jetë nënë e të gjitha paqeve dhe lufta me Iranin do të jetë nëna e të gjitha luftrave", ishte shprehur Ruhani, duke shtuar se një njeri që ka pak njohuri në politikë nuk thotë se do të bllokojë eksportet e naftës së Iranit.