Spanja tërheq urdhër-arrestin evropian kundër ish-presidentit të Katalonjës

Bota July 19, 2018 - 18:59
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Gjykata Supreme e Spanjës e tërhoqi urdhër-arrestin evropian kundër ish-presidentit të Katalonjës, Carles Puigdemont, dhe pesë ndihmësve të tij që mbeten jashtë vendit.

Një gjykatë në Gjermani konstatoi më herët se Puigdemont nuk mund të ekstradohet për t'u përballur me akuzat e Spanjës për rebelim, për shkak të shtytjes së tij për pavarësinë e Katalonjës.

Rebelimi është akuza më serioze që është ngritur kundër Puigdemont.

Por, akuzat kundër gjashtë separatistëve katalanas mbeten, çfarë do të thotë se ata ende përballen me arrestim nëse kthehen në Spanjë.

Gjykata rajonale në Shlesvih-Hollstajn në Gjermani tha se Puigdemont mund të ekstradohet për akuzën e keqpërdorimit të fondeve publike, por jo për rebelim apo për kryengritje.

Gjykatësi i lartë spanjoll, Pablo Llarena, tha se duke vepruar kështu, gjykata gjermane tregoi një "mungesë angazhimi" me rastin dhe shkeli rregullat e urdhër-arrestit.

Ai e akuzoi atë për minimin e kompetencave të gjykatës supreme spanjolle.

Spanja e nxori të jashtëligjshëm referendumin e pavarësisë të mbajtur në Katalonjë më 1 tetor. Ajo po ashtu e konsideron të paligjshme deklaratën pasardhëse të Katalonjës për pavarësi.

I përballur me arrestimin në Spanjë, Puigdemont iku në Belgjikë dhe më pas u zhvendos në Gjermani, ku po lufton kundër ekstradimit. /REL