Dy Koretë ndërmarrin hap tjetër drejt paqes

Bota July 17, 2018 - 12:13
Lexo detajet

Koreja e Veriut plotësoi një tjetër nga detyrimet e saj ndaj Koresë së Jugut dhe SHBA-ve pas marrëveshjeve të arritura me aleatët në samitet e këtij viti, transmeton Anadolu Agency.

Sipas Ministrisë jugkoreane të Mbrojtjes, dy Koretë rikthyen plotësisht "telefonin e kuq" ushtarak në zonën e kufirit perëndimor, siç ishte premtuar me të ashtuquajturën Deklarata e Panmunjomit, pas takimit të parë midis kryetarit Kim Jong-un dhe presidentit Moon Jae-in më 27 prill.

Gjersa kritikët kanë vënë në dukje se Pheniani ende duhet të ndërmarrë hapa konkrete drejt premtimit të saj kryesor për denuklearizimin e gadishullit, hapat si lehtësimi i komunikimeve kufitare janë parë si një element i vlefshëm i përpjekjeve më të gjera të paqes pas armiqësisë prej dekadash.

"Ndërsa linja perëndimore e komunikimit është rikthyer plotësisht dhe është normalizuar si pjesë e përpjekjeve për të zbatuar Deklaratën e Panmunjomit, kjo praktikisht do të kontribuojë në përpjekjet e dy Koreve për të ulur tensionet dhe për të ndërtuar besimin", citohet të ketë thënë një zyrtar i ministrisë nga agjencia e lajmeve Yonhap.

Për rivendosjen e linjës telefonike, e cila u ndërpre pas tensioneve në vitin 2016, nevojitej një përjashtim nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, pasi sanksionet e rrepta kundër Koresë së Veriut mbesin aktive.

Planet e ardhshme ushtarake ndër-koreane pritet të përfshijnë rivendosjen e linjës telefonike lindore dhe largimin e njësive të artilerisë nga kufiri.

Veriu gjithashtu ka qenë në bisedime këtë javë me SHBA-të për të kthyer mbetjet e ushtarëve amerikanë që luftuan në Luftën e Koresë në vitet 1950-53.

Kim ishte pajtuar ta ndërmerrte një hap të tillë "menjëherë" në takimin me presidentin amerikan, Donald Trump, më 12 qershor.