Reporteri protestues nxirret me forcë nga konferenca Trump-Putin

Bota July 16, 2018 - 18:36
(Video)

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në prag të konferencës së përbashkët për shtyp mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, që po mbahet në këto momente në Helsinki të Finlandës.

Një reporter, siç raporton CNN, ndërkohë që “Sky News” e cilëson protestues, është nxjerrë me forcë nga agjentët e sigurisë nga salla ku do të mbahej konferenca për shtyp.

Ai u shfaq teksa mbante një letër të bardhë me një mbishkrim, i cili ndonëse nuk u lexua qartë, nga raportimet paraprake të medieve të huaja thuhet se përmbante “Nuclear Ban Treaty”.

Thënë me fjalë të tjera, protestuesi në fjalë, i cili mund të jetë paraqitur si reporter për të hyrë në sallë, ka dashur të bëjë thirrje për nënshkrimin e një pakti për ndalimin e plotë të armëve bërthamore, e jo vetëm zvogëlimin apo kufizimin e tyre, siç është bërë deri më tani.