Çfarë duan të arrijnë Trump dhe Putin në Helsinki?

Bota July 16, 2018 - 10:10
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi, rajoni, bota....

Donald Trump do të flasë me Valdimir Putin kokë më kokë. Vetëm ata të dy, secili me nga një përkthyes. Këshilltarët politikë dhe protokolluesit në këtë bisedë duhet të mbeten jashtë.

Shtëpia e Bardhë e dëshiron këtë dhe shkel kështu një rregull bazë të samiteve të tilla, që është më shumë se një zakon. Trump ndez me këtë mosbesimin, nxit frikën e atyre që ndihen të kërcënuar nga Rusia dhe dyshojnë në garancinë e solidaritetit të aleancës perëndimore.

Trump dhe Putin kanë afri: Të dy e kuptojnë veten si “burra të fortë” në një botë të sunduar nga kaosi; të dy e perceptojnë shtetin që drejtojnë në radhë të parë si demonstrim force. Putin e stilizon veten si lider të atyre forcave politike që janë iliberale.

Trump e pëlqen ta shohë veten si shkatërruesin e institucioneve liberale, që ia dhanë tonin botës pas ndryshimeve epokale të vitit 1945 dhe 1990.

Trump kërkon efektin mediatik, Putin me agjendë të zgjeruar

Të dy kanë lënë të kuptohet se e admirojnë njëri-tjetrin me gjithë kontradiktat në interesa. Për takimin në Helsinki kjo nuk parathotë ndonjë gjë të mirë, sepse pritshmëritë janë të ndryshme. Trump kërkon efektin mediatik, një takim në skenë të madhe, rrahje shpatullash, ai kërkon të habisë botën. Qëllimet politike, nëse i ka këto, Trumpi i mban të fshehura.

Ndërsa Putini ka një agjendë të zgjeruar: Ai kërkon dorë të lirë në luftën civile në Siri, në Ukrainë, të cilën Putin e kupton si zonë influence ruse, prandaj i lejon vetëm sovranitet të kufizuar. E në fund ai kërkon që Perëndimi të pranojë që okupimi i shpejtë i gadishullit të Krimesë të mos shihet si aneksion, por një “ribashkim” me Rusinë. BE-ja dhe SHBA-ja i kanë vendosur Moskës sanksione për shkak të Krimesë. Putini dëshiron që ato të marrin fund.

Kush fillon e pyet se si do t'i arrijë Putini këto qëllime te pala tjetër i hedh sytë në një greminë politiko-morale. Në një kohë që Trumpi shëtit nëpër Evropë, një hetues i posaçëm ka ngritur padi kundër 12 agjentëve rusë; ata kanë ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA para dy vjetësh. Rusia dyshohet prej kohësh që ka ndihmuar fushatën zgjedhore të Trumpit përmes sulmeve të hakerëve, vjedhjes së informacionit e fushatave në mediet sociale për ndikimin e votuesve.

Ndoshta Putini i thotë faleminderit Trumpit për sulmet ndaj NATO-s

Nuk ka dyshim, Donald Trump ka qenë kandidati i dëshiruar i Kremlinit. Por, a është ai automatikisht edhe presidenti “tyre”? Përgjigja nuk varet vetëm nga ajo nëse Kremlini ka diçka në dorë kundër Trumpit, material komprometues që mund të përdoret për presion politik. Për këtë spekulohet gjithmonë, herë për historitë e Trumpit me femra në Rusi, herë për kontaktet e biznesit në Nju Jork.

Këto histori intriguese nga jeta parapresidenciale e Trumpit bien sigurisht era sensacioni, por deri më tani kanë mbetur vetëm si spekulime. Ato nuk duhet të turbullojnë shikimin për politikën reale për Donald Trumpin e vërtetë. Kush i godet në mënyrë të tillë anëtarët e NATO-s, siç vepron Donald Trump, është dhuratë për çdo president rus. Do t'i thotë Putini faleminderit për këtë Trumpit? Nuk do ta dimë. Trump e di shumë mirë vetë se pse nuk do asnjë regjistrim të bisedës së tij me Putinin.

Shtyrje e afatit të traktatit bërthamor “New Start”

Trump dhe Putin mund të bien dakord për të shtyrë afatin e marrëveshjes “New Start” për reduktimin në masë të arsenalit strategjik të armëve bërthamore të të dy vendeve. Marrëveshja ka hyrë në fuqi në vitin 2011 dhe përfundon më 2021-ën.

“Prioriteti më i madh mund të jetë trajtimi i kësaj çështjeje dhe shtyrja e afatit të saj edhe me pesë vjet”, thotë Frank von Hippel, një ekspert i sigurisë bërthamore në universitetin “Princeton”.

“Traktati ‘New Start’ siguron transparencë për të dy vendet”, vëren Wormuth. “Nga ulja e numrit të kokave shpërthyese, e mjeteve të shpërndarjes, si dhe shpenzimeve që rrjedhin prej tyre mendoj se të dy vendet do të përfitojnë nga zgjatja e afatit”.

Sikurse vuri në dukje para gazetarëve javën e kaluar ambasadori i SHBA-së Huntsman, traktati “New Start” do të jetë në agjendën e takimit të Helsinkit, pasi “ne kemi hedhur një hap të rëndësishëm më 5 shkurt kur të dy vendet, SHBA-ja dhe Rusia, përcaktuan se do t'i përmbahen qëllimit për të mos mbajtur më shumë se 1.550 raketa strategjike me koka shpërthyese.

Të dy, Hippel dhe Wormuth, mendojnë se ujdia për të zgjatur afatin e “New Start” mund të jetë një lëvizje relativisht e lehtë për Putinin dhe Trumpin. “Unë mendoj se zgjerimi i ‘New Start’ është një fushë veprimi më bindëse, ku mund të ketë progres krahasuar me të tjerat, sepse ajo është vërtet në interesin e të dy vendeve”, thotë Wormuth.

Dhe ndërsa Putini ka shprehur interes për shtyrjen e afatit të traktatit, Trump në të kaluarën ka shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me të, duke e damkosur atë si një marrëveshje të keqnegociuar prej administratës Obama. Megjithatë, thotë Hippel, kjo nuk duhet të pengojë arritjen e një marrëveshje që është e dobishme për SHBA-në, Rusinë dhe për pjesën tjetër të botës. /DW