Turqi, betohet presidenti me fuqi absolute Erdogan

Bota July 09, 2018 - 18:27
Detajet

Me një makinë të mbuluar me lule, presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan mbërriti në Parlamentin e vendit, ku u betua për mandatin e dytë radhazi si president, por të parin me fuqi ekzekutive.

Që nga kjo e hënë, Turqia ka një sistem të ri qeverisës, ku presidenti ka fuqi të jashtëzakonshme. Erdogan u betua në Parlament një muaj pas zgjedhjeve që i fitoi me 53% të votave, e që ligjëruan fuqitë e reja për të, që i japin fund qeverisjes së Parlamentit dhe shndërrojnë presidentin në një sulltan, siç është cilësuar nga kritikët.

“Si president, betohem për nderin tim para kombit dhe historisë madhështore turke, se do të punoj me të gjitha energjitë e mia që të mbroj dhe lartësoj lavdinë dhe nderin e Republikës së Turqisë”, tha Erdogan.

LEXO EDHE: Thaçi mbërrin në Turqi për të marrë pjesë në inagurimin e Erdoganit

Sistemi i ri presidencial i Turqisë eliminon kryeministrin, e tashmë është presidenti që formon qeverinë, duke emëruar zëvendësit e tij dhe ministrat, nxjerr dekrete, përgatit buxhetin dhe vendos politikat e sigurisë.

Sipas sistemit të ri, Erdogan, jo vetëm që do të drejtojë ekzekutivin, por edhe partinë e tij në Parlament, diçka që kritikën thonë se është ligjërim i sundimit të një njeriu.

Mbase për këtë arsye, opozita në Parlament as që u ngrit në këmbë gjatë betimit të Erdoganit, siç është zakon, ndërsa kreu i Partisë Popullore Republikane, Kemal Kilçdaroglu, as që ishte në sallë.

Pas ceremonisë zyrtare të betimit në Parlament, Erdogan zhvilloi homazhe në mauzoleumin e themeluesit të Turqisë moderne dhe laike, Qemal Ataturku, mbase për të qetësuar zërat kritikë që e akuzojnë jo vetëm për shndërrimi në sulltan, por edhe për islamizimin e Turqisë.

Në betimin e presidentit Erdogan, mes dhjetëra krerëve të shteteve dhe kryeministrave, janë edhe kreu i qeverisë shiqptare Edi Rama, si dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. /Top Channel