Turqia hyn në një epokë të re

Bota June 26, 2018 - 09:43
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi, rajoni, bota....

Shumica e njerëzve, të cilët kanë përjetuar krizën ekonomike të Turqisë në vitet ’90, do të pajtoheshin me faktin që qeveritë e brishta të koalicioneve të kësaj epoke duhej të fajësoheshin.

Thjesht elektorati akuzoi partitë e vogla dhe një mjedis të paqëndrueshëm politik për menaxhimin e dobët të ekonomisë gjatë dekadës. Ky megjithatë është vetëm një kujtim i keq.

Pas qeverisjes së vendit për 16 vjet Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), këtë herë me partnerin e saj të koalicionit Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP), është rizgjedhur sërish me shumicë në votimet parlamentare.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan, nga ana tjetër, siguroi një fitore të jashtëzakonshme në zgjedhjet presidenciale mes një atmosfere të debatit të nxehtë mbi ekonominë e vendit.

Debatet më konsekuente për sa u përket zgjedhjeve, megjithatë, nuk u përqendruan tek ekonomia, por në menaxhimin  e vazhdueshëm të presidentit Rexhep Tajip Erdogan.

Vala e fundit e lajmeve të këqija në lidhje me ekonominë nuk u pa nga elektorati si një shenjë e keqmenaxhimit ekonomik ose një sinjal i kaosit dhe paqëndrueshmërisë. Një gjë për të cilën mund të jemi të sigurt është se asnjëra nga zhvillimet nuk e diskreditoi Erdoganin në sytë e votuesve, të cilët morën si pikë referimi pikërisht arritjet ekonomike që vazhdojnë prej një dekade dhe jo nga një krizë afatshkurtër që po ndodh në nivel global.

Votuesit ende kujtojnë Turqinë e vjetër, e cila i ngjante më shumë një kombi ballkanik të varfër, të izoluar dhe pjesërisht të hapur, në heshtje të gatshëm për të bërë atë që kërkonin padronët e tij të NATO-s, pa ndonjë karakter dhe duke luftuar me shërbimet shtetërore që nuk funksiononin mirë.

Një proces i mirëpritur për ndryshimin e sistemit

Një kujtesë e hidhur që shumë njerëz do të kujtojnë ende është tërmeti i ëzmirit i vitit 1999 dhe paaftësia e shtetit për të trajtuar dhe për t’u kujdesur për viktimat si pasojë e tij. Ishte një pikë kthese që në mënyrë të pashmangshme hapi rrugën për ngritjen e një partie të re politike.

Ata që kujtojnë grusht shtetet në historinë e fundit politike të Turqisë gjithashtu investuan të ardhmen e tyre në partinë AK.

Klasa e mesme turke u rrit me hapa galopantë nën partinë AK. Standardi më i lartë i jetesës gjithashtu u bë i dukshëm në mesin e klasës së mesme dhe pritjet nga qeveria u rritën proporcionalisht.

Kërkesa për arsimim më të mirë, shërbime shëndetësore, të diplomuar në universitet, numri i njerëzve që shkojnë jashtë vendit, strehimi dhe numri i njerëzve që kërkojnë kredi për të blerë makina dhe shtëpi janë rritur, ashtu si edhe çmimet.

Megjithatë, borxhi afatgjatë tani përbën një kërcënim për prosperitetin afatgjatë të klasës së mesme të re, e cila është kryesisht klasa e re e konsumatorit.

Kjo rritje në konsumizëm ka efekte të mira dhe të këqija në ekonomi. Ekonomia e gjallë e konsumatorit gjithmonë është duke ushqyer dhe duke rritur pritjet; duke u përballur me sfida të reja dhe probleme të pashembullta.

Pra, ekonomia si një forcë lëvizëse për motivimin e sjelljes së votuesve nuk është thjesht një funksion ekonomik arbitrar, që mund të korrigjohet me një ndryshim të partisë në pushtet.

Fakti që rritja ekonomike dhe demokratizimi i Turqisë ka arritur një nivel të konsiderueshëm është një gjë, por për vendin ku do të lëvizë nga këtu është një tjetër.

Edhe pse zgjedhjet e menjëhershme zakonisht nuk janë të dëshirueshme për elektoratin, sjellja e votuesve të dielën tregoi se këto zgjedhje ishin një proces i mirëpritur për ndryshimin e sistemit.

Pas kalimit në presidencën ekzekutive u miratua në referendumin kushtetues të vitit të kaluar, hierarkia administrative dhe burokratike e vendit kishte mbetur në një grackë midis të vjetrës dhe të resë. Me këtë fitore votuesit kanë mbështetur qartë institucionalizimin e sistemit të ri presidencial dhe po presin që ai t’i zgjidhë problemet ekonomike gjatë reformave të vazhdueshme.

Popullsia e Turqisë është e re dhe dinamike. Megjithatë, ata që kujtojnë vendin e vjetër, të keqqeverisur, kanë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve. Por kjo mund të ndryshojë jo si rezultat i përpjekjes së opozitës për të tërhequr votuesit konservatorë, por me rezultatet e votuesve të rinj të lindur në vitet ’90.

Këta njerëz nuk janë domosdoshmërisht anti-AK. Por, duke u rritur në Turqinë e drejtuar nga partia AK ata kanë përqafuar hapësirën publike në zgjerim, në ofrimin e duhur të shërbimeve të ndryshme, shtetin e mirëqenies, megaprojektet dhe madje edhe çështjet si identiteti alevi dhe kurd në sferën politike.

Elektorati aktual mund të jetë fituar nga fushata zgjedhore e partisë AK, që u përqendrua në megaprojekte, në ura, në një aeroport gjigand në Stamboll dhe në tunele nën Bosfor.

Megjithatë, elektorati i ardhshëm ndoshta do t’i shohë këto projekte si diçka të zakonshme, diçka që një shtet duhet të ofrojë. Ata votues të rinj do të kërkojnë më shumë institucionalizim dhe zhvillime qytetare, që do të nxisin atmosferën politike të Turqisë në vitet e ardhshme. /Daily Sabah/