SHBA, vetëm 500 fëmijë janë ribashkuar me familjet e tyre

Bota June 22, 2018 - 12:23
Lexo detajet

Rreth 500 fëmijë, nga më shumë se 2.300 të mitur të ndarë nga familjet në kufirin me Meksikën, janë bashkuar me të afërmit që prej muajit maj, thotë Shtëpia e Bardhë.

Megjithatë, nuk është e qartë sesa prej tyre vazhdojnë të mbeten të ndaluar me gjithë familjarët.

Deri më tani, administrata “Trump” nuk e kishte saktësuar sesa fëmijë ishin bashkuar në fund me njerëzit e tyre të dashur. Shumë prindër vazhdojnë të këmbëngulin se nuk e dinë ku ua kanë çuar fëmijët, e po luftojnë për të marrë përgjigje.

Disa nëna madje edhe janë deportuar pa të vegjlit e tyre. Rezultatet e politikës së tolerancës zero, që po ndjek në kufi qeveria e Trumpit, kanë sjellë reagime të ashpra si brenda SHBA-ve, ashtu edhe jashtë saj, gjë që e shtyu presidentin që më në fund të dorëzohej e të firmoste urdhrin për ribashkim familjar.

Një ditë më parë, Melania Trump vizitoi qendrën e të miturve në Teksas, një zhvillim ky që u pasqyrua gjerësisht në mediet ndërkombëtare.

Një pjesë, sidoqoftë, e lanë mënjanë atë që ishte rëndësia kryesore e këtij lajmi dhe u fokusuan te shkrimi në pjesën e pasme të pardesysë që ajo mbante veshur: Mua nuk më bëhet vonë, po juve?

Të enjten, Dhoma e Përfaqësuesve hodhi poshtë me 193 vota kundër dhe 31 pro, një nga dy projektligjet e emigracionit, për të cilin Trump u tha gazetarëve se ai është “i gatshëm dhe i aftë ta nënshkruajë shumë shpejt”. /Tch/