BE-ja i hakmerret Trumpit

Bota June 20, 2018 - 20:30
Lexoni më shumë detaje

Bashkimi Evropian do të vendosë një seri tarifash mbi eksportet amerikane duke filluar nga e premtja, në shenjë hakmarrjeje ndaj tarifave të vendosura më herët gjatë këtij muaji nga Uashingtoni mbi importet e aluminit dhe çelikut.

Eksporte amerikane si xhinse, motoçikletat dhe uiski “Bourbon” do të jenë në shënjestër, konfirmoi komisionerja për tregtinë në Bashkimin Europian, Cecilia Malmstrom.

Sidoqoftë, sipas saj, blloku nuk do të kish dashur të arrihej deri këtu.

“Vendimi i njëanshëm dhe i pajustifikuar i SHBA për të vendosur tarifa mbi hekurin dhe aluminin, do të thotë se ne nuk kishim zgjidhje tjetër”, tha Cecilia Malmstrom, komisionere e BE për tregtinë.

Brukseli e ka hartuar listën e produkteve në mars, kur Trump fillimisht propozoi tarifën prej 25 për qindësh mbi importet e hekurit dhe 10 për qindësh mbi aluminin, që përveç BE ka në shënjestër edhe Kanadanë, Meksikën dhe aleatë të tjerë të SHBA.

Boronicat e kuqe, lëngu i portokallit, mistri i ëmbël dhe gjalpi i kikirikut janë po ashtu në listë. Malstrom tha se reagimi i BE është një reagim proporcional dhe në linjë me rregullat e organizatës botërore të tregtisë, përcjell TCH.

Ajo tha se kundërmasat, që prekin mallra amerikane me vlerë 2.8 miliardë euro, do të hiqen nëse Uashingtoni heq tarifat mbi metalet.

Shumë nga produktet e përfshira në listën e BE kanë edhe efekte politike.

Uiski Bourbon prodhohet në kentaki, shtetin e liderit të shumicës së senatit Mitch McConnell.

Lëngu i portokallit është një eksport i rëndësishëm për Floridan, një shtet i lëkundur në zgjedhjet amerikane.