A mundet Erdogani t’i humbasë zgjedhjet?

Bota June 19, 2018 - 09:44
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi, rajoni, bota....

Në Turqi zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale do të mbahen më 24 qershor.

Sipas sondazheve të opinionit në mes të 45 dhe 55 për qind të të anketuarve do të votonin për Rexhep Tajip Erdoganin. Megjithatë, në realitet kjo përqindje mund të jetë dukshëm më e ulët.

Hakan Bayrakci, nga instituti për hulumtimin e opinionit “Sonar”, thotë se Erdogani ka krijuar një atmosferë frike. Si rezultat pothuajse dhjetë për qind e votuesve nuk flasin publikisht për kë do të votojnë. Në sondazhet e opinionit ofrohen informacione të gabuara. Kështu thotë Bayrakci, rezultati zgjedhor me probabilitet të lartë do të ndryshojë nga rezultati i sondazheve të kryera.

Pas reformave kushtetuese, të cilat janë miratuar pas një referendumi në prill të 2017-s, votuesit në zgjedhje japin dy vota: me njërën vendosin se kush do të jetë presidenti i ri i vendit dhe me tjetrën se cilat nga partitë politike do të hyjnë në parlament.

Për Erdoganin, i cili në 16 vjetët e fundit nuk i ka humbur zgjedhjet, zgjedhjet e ardhshme mund të jenë më të vështirat në karrierën e tij politike. Pasi herën e parë i fitoi zgjedhjet, partia islamike konservatore e Erdoganit AKP ka krijuar politikën në Turqi, e cila po përgatitet gjithashtu për zgjedhje të vështira.

Problemet në vend po rriten

Özer Sencar, nga instituti i sondazheve “Metropoll”, për 25 vjet monitoron karrierën e Erdoganit. Ai vlerëson se Erdogan kurrë nuk ka pasur ndonjëherë një fushatë parazgjedhore më të keqe. Erdogan nuk e përcakton më rendin e ditës dhe nuk jep një vizion për të ardhmen. Në tubimet parazgjedhore po prezantohet dobët dhe pa emocione.

"Ai kurrë nuk kishte bërë kaq shumë gabime në fjalimet e tij", tha Sencar.

Ai dyshon se Erdogan do ta mbajë pushtetin.

Erdogan është në pushtet për 16 vjet dhe prej kohësh konsiderohet si fuqia më e madhe në politikën turke.

Suksesi i tij më i rëndësishëm ishte rritja ekonomike. Në një e gjysmë dekade të kaluar të ardhurat mesatare vjetore prej 3,500 u rritën në 10,000 dollarë. Përveç kësaj, i gjithë vendi u kaplua nga një bum i vërtetë ndërtimesh.

Megjithatë, ekonomia turke tani nuk është në gjendje të mirë. Pas grushtit të shtetit të dështuar në korrik të 2016-s dhe gjendjes së jashtëzakonshme më pastaj, lira turke ka humbur vlerën më shumë se 30 për qind.

Nuk ka pothuajse asnjë investim në vend. Besimi i tregut ndërkombëtar në ekonominë turke është tronditur. Erdogan, i cili për arsye fetare refuzon kamatën, i duhej t’i mbyllte sytë kur Banka Qendrore Turke javën e kaluar u detyrua t’i rriste normat e interesit. Pas Argjentinës, Venezuelës dhe Iranit, Turqia është vendi i katërt në aspektin e normave të interesit.

"Për herë të parë në 16 vjet Erdogan nuk është më i suksesshëm. Ai nuk mund të menaxhojë me ekonominë. Problemet në arsim dhe në shëndetësi janë gjithashtu në rritje", tha Sencar.

Ai thotë se popullsia turke e ndien krizën ekonomike. Si rezultat i kësaj ka më pak emocion në tubimet zgjedhore të Erdoganit.

Opozita gjithnjë e më shumë është e motivuar

Gulfrem Saydan ëanver gjithashtu beson se Erdogan gjithnjë e më vështirë po përcjell mesazhet e tij te njerëzit. Saydan ëanver ka doktoruar në temën "Fushata zgjedhore e AKP-së" dhe është fituese e çmimit “Pollie Award” dhënë nga Shoqata Amerikane e Konsulentëve Politikë.

Ajo mendon se boshti negativ i Erdoganit është që brenda partisë së tij i kërkoi të gjitha për t’i bërë i vetëm.

"Në tubime dhe gjatë fjalës së tij edhe vetë nuk po mund t’i transferojë mesazhet e tij tek ata për të cilët janë të destinuara", thotë ëanver.

Ajo gjithashtu kujton se në bazë të rezultateve të hulumtimit të opinionit Muharrem Ince, kandidati presidencial i partisë opozitare CHP, kohën e fundit ka rritur popullaritetin e tij. Mbi këtë bazë motivimi i opozitës u rrit.

"Erdogan tani përpiqet të përfitojë nga frika e votuesve të djathtë - konservatorë", thotë ëanver.

Kjo është arsyeja pse ditët e fundit në fjalimet e tij të fushatës ka përmendur operacionet ushtarake kundër PKK-së në Irakun e Veriut. ëanver thotë se Erdogan në këtë mënyrë do të nxisë frikën e votuesve. Votuesit e frikësuar kanë frikë nga ndryshimi i qeverisë dhe prandaj do ta votojnë për presidentin aktual.

Fundi i një sistemi presidencial të fuqishëm

Pavarësisht nga e mësipërmja, Erdogan në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale pikërisht mund të fitojë. E ashtuquajtura "Aleanca Republikane", e përbërë nga AKP-ja dhe nga MHP-ja mund të humbasë shumicën në parlament. Nëse kjo do të ndodhë atëherë Erdogan nuk do të ketë një bazë të fortë në parlament.

Një sistem i fortë presidencial, të cilin opozita e sheh si një diktaturë, për Erdoganin mbetet vetëm një ëndërr, sipas ekspertëve.

"Nëse AKP-ja humb shumicën në parlament, pastaj për Erdoganin do të vijnë kohë të vështira", thotë ëanver.

Pas futjes së gjendjes së jashtëzakonshme Erdogan arbitrarisht ka mundur të bëjë ligje dhe vendime.

"Nëse AKP-ja nuk do të ketë më një shumicë në parlament dhe Erdogan fiton, atëherë ai do të humbasë një pjesë të pushtetit që sot ka. Ai nuk do të jetë më president efektiv dhe do t’i duhej të njohë fuqinë e Parlamentit", thotë ëanver./DW