Spanja, agjentë specialë për të parandaluar shqiptarët

Bota June 15, 2018 - 14:16
Lexo detajet!

Duket se rruga përmes Spanjës, me destinacion final Britaninë e Madhe, nuk do të jetë më e lehtë për emigrantët e jashtëligjshëm.

Kjo pasi policia spanjolle ka përforcuar prezencën e agjentëve të specializuar në disa porte, si ai i Bilbao, apo Santander, për të evituar tranzitin e emigrantëve të jashtëligjshëm, të cilët në mënyrë klandestine i përdorin për të shkuar në tokën britanike.

Sipas mediave spanjolle, më problematikët janë shqiptarët, të cilët kalojnë të fshehur nëpër kamionë e makina, si dhe me dokumente false.

Sipas autoriteteve atje, pjesa më e madhe e shqiptarëve që përdorin Spanjën për të shkuar në Britani janë në moshë të re dhe kanë familjarë në Britani. Por ka edhe nga ata që janë dëbuar nga ky shtet dhe kërkojnë të rikthehen atje.

Shqiptarët shpesh shfrytëzojnë mjete identifikimi false të vendeve anëtare të BE dhe përfitojnë nga fakti se mund të lëvizin dhe të qëndrojnë deri në 90 ditë në zonën Shengen.

Nga kontrollet e deritanishme, policia kombëtare spanjolle mësohet se ka mundur të ndalojë në total 39 persona të cilët kishin krijuar rrjetet operative, përgjegjëse për trafikun e jashtëligjshëm të rreth 7 mijë shqiptarëve./tvklan.al