Kaos në Shtëpinë e Bardhë, këshilltaret e Trump po mendojnë largimin

Bota June 11, 2018 - 19:11
Ja arsyeja

Në Shtëpinë e Bardhë mbretëron kaosi. “New York Times” shkruan se këshilltarët e presidentit Trump duan të lënë detyrën dhe paralajmëron një eksod pas zgjedhjeve të mes-mandatit.

Ndërkohë që Donald Trump ka udhëtuar drejt Singaporit për takimin historik me liderin koreano-verior Kim Jong Un, në Shtëpinë e Bardhë mbretëron kaosi.

Sipas “New York Times”, janë të shumtë funksionarët që janë gati të braktisin detyrën dhe më të shumtë do të jenë pas zgjedhjeve te mes-mandatit. Sipas gazetës prestigjoze, në radhë për t’u larguar është edhe shefi i personelit të selisë presidenciale, John Kelly dhe zëvendësi i tij Joe Hagin.

Kelly, sipas burimeve politike të cituara nga e përditshmja, në një takim me disa senatorë e ka cilësuar situatën në Krahun Perëndimor të dëshpëruar.

Megjithatë, largimet eventuale duket se nuk e trembin presidentin amerikan, i cili i qëndron besnik parimit për të larguar atë që e pengon dhe atë që i thotë “jo”.

Sipas atyre që nuk e njihnin Trump përpara hyrjes së tij në Shtëpinë e Bardhë, sjellja e kreut të shtetit po përkeqësohet ditë pas dite.

Ndërsa ata që kanë punuar me të edhe në të kaluarën, të cituar nga “NYT”, thonë se miliarderi nuk ka ndryshuar kurrë.

E sigurt është se Trump ka hyrë në histori si presidenti që ka humbur më shumë këshilltarë pa përmbushur ende mandatin e tij të parë.

Janë të paktën 30 funksionarët e kabinetit të tij që kanë dhënë dorëheqjen ose janë larguar që nga marrja e detyrës, në janar 2017.