Macron: Jerusalemi është kryeqytet i dy shteteve

Bota June 06, 2018 - 12:05
Lexo detajet

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron pas takimit me kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu në Paris, tha se zhvendosja e Ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem (Kuds) shkaktoi dhunë dhe se nuk i ka ndihmuar procesit të paqes, raporton AA.

"Nëse diçka e tillë çon në vdekjen e njerëzve, kjo për mua nuk është lajm i mirë", tha Macron në një konferencë për media, duke shtuar se Parisi do të ndihmojë në zgjidhen e krizës humanitare në Gaza.

Ai theksoi se kryeministrit izraelit i ka thënë se Franca vazhdon të mbështesë marrëveshjen ekzistuese bërthamore me Iranin.

"Siç thonë edhe aleatët tanë evropianë, ne duhet të jemi të përkushtuar për marrëveshjen bërthamore me Iranin për të kontrolluar programin e raketave balistike", tha Macron.

Megjithatë, ai shtoi se marrëveshja me Iranin nuk është e përkryer dhe se pas vitit 2025 do të jetë e nevojshme "të shqyrtohet më tej".

Ai poashtu potencoi se Kudsi është kryeqyteti i dy shteteve, duke shtuar se është shumë e rëndësishme që kjo çështje të jetë pjesë integrale e negociatave mes dy palëve.

"Në mënyrë të veçantë dënoj çdo formë të dhunës që kryhet ndaj civilëve në Gaza gjatë javëve të fundit", tha Macron.