Trump kundër të gjithëve, të gjithë kundër Trumpit?

Bota June 04, 2018 - 09:57
Lexoni më shumë detaje

Do të jem i qetë atëherë kur të mos shoh të lëvizë asnjë “Mercedes” përgjatë Fifth Avenue në Nju Jork.

Nëse është e vërtetë kjo fjali, që sipas qarqeve diplomatike të cituara nga revista gjermane “Java ekonomike” i vishet Donald Trumpit, atëherë edhe më i fundit duhet ta kuptojë: Ky burrë u shkon gjërave deri në fund.

Ai kapet me të gjithë dhe me këdo. Në vatrat e krizës sot në botë, Lindje e Afërt, Siri, Iran, Kore e Veriut, kudo është prezent Donald Trump. Për të gjitha këto kriza ai ka nevojë për aleatë. Aleatë të cilët ai i zhgënjen, njëri pas tjetrit.

“Amerika e para” po bëhet gjithnjë e më shumë “Amerika vetëm”

Por të kthehemi te lufta tregtare. Se gjithnjë e kemi parandier: Automjetet “Mercedes” në Fifth Avenue në Nju Jork përbëjnë vërtet një rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Edhe pse ministri amerikan i Tregtisë Wilbur Ross ka disa javë për ta verifikuar këtë. Ai do të vijë saktësisht te ky rezultat. Rrezik sigurie. Sepse edhe çeliku dhe alumini i importuar nga Evropa është një rrezik i tillë sigurie për SHBA-në. Ndryshe Donald Trumpi nuk mund të vendosë kaq lehtë dogana ndëshkuese pa pyetur kongresin amerikan.

Por të pyesim seriozisht: nëse qytetarët amerikanë duan të ngasin “Mercedes”, “Porsche” apo “Audi”…çfarë do të bëjë Donald Trump, do t'ua ndalë këtë? E nëse evropianët i ulin doganat për importet e automjeteve amerikane (që realisht janë më të larta se ato amerikane), por njerëzit në Evropë prapë nuk duan t'i blejnë makinat gjigande amerikane? Çfarë bëhet në këtë rast?

Lejohet të hyjë në SHBA kush ka një shënim në pasaportë – nget “Chevrolet”? E tani që në Gjermani debatohet kaq shumë për ndalimet e motorëve me naftë, ndoshta një ide për ta zbutur Donald Trumpin - një ndalesë për “Mercedes” në Fifth Avenue?

Ende situata nuk ka dalë nga dora

Natyrisht që shqetësimi është i madh, sepse amerikanët e kanë seriozisht. Po bëhen paralajmërime, shigjetime, por të gjithë e dinë se ç'do të ndodhë pas kësaj. Le të ndjekim rendin e gjërave: dogana ndëshkuese për çelikun evropian, kjo nuk është ndonjë gjë e re. Këtë u përpoq ta fuste edhe George Bush në fillim të mijëvjeçarit dhe dështoi keq.

E për shkak se është krijuar përshtypja se po paralizohet tregtia transatlantike, duhet thënë një fakt: për momentin bëhet fjalë vetëm për 1,5% të vëllimit tregtar mes Evropës dhe SHBA-së. Reagimet e para nga prodhuesit e çelikut të tregojnë: gjendja është e kontrollueshme edhe me doganat shtesë.

Megjithatë doganat janë realitet dhe evropianët po përgatisin kundërgoditjen. Kjo është e rrezikshmja në këtë situatë. Ajo që kemi nevojë janë përgjigje të qarta të pozicione të qarta. Evropa duhet të flasë me një zë, por nuk po e bën këtë.

Gjigandi eksportues Gjermania, që preket më shumë, nuk i bëhet vonë për Brukselin, por po ndjek rrugën e vet. Ka jo pak evropianë që nuk do të zemëroheshin nëse gjermanët e padashur (ciao Itali, ne ju dëgjojmë) do të merrnin një shuplakë. Kinezët mund të jenë një partner i ri, por kanë vetë shumë punë me luftën tregtare me amerikanët.

Një pasojë mund të jetë: më shumë mallra “made in China” në tregun e hapur evropian, sepse Amerika do më pak prej tyre. Çfarë do të bëjë Evropa? Dogana më të larta për produktet kineze?

Perspektiva jooptimiste

Sigurisht do të ishte mirë nëse bashkohen të gjithë ata që vuajnë nën politikën impulsive të presidentit amerikan. Por gjasat nuk duken për këtë. Gjithsekush do të përpiqet për vete të zvogëlojë dëmin sa të mundet.

Tani do të ishte ora e Organizatës Botërore të Tregtisë, OBT, por ajo vetë lufton për mbijetesën. OBT-ja është për multilateralizmin, si shumë institucione ndërkombëtare. Trump për të kundërtën dhe rregullat e OBT-së nuk i interesojnë atij.

Për momentin deviza është: sytë mbyllur e përpara. E kur Donald Trump ta ketë mbaruar veprën e tij, të shpresojmë se ka ende aq substancë për të ndërtuar diçka të re. /DW/