Opozita maqedonase në protestë, kërkon zgjedhje të parakohshme

Bota June 03, 2018 - 08:41
Detajet

Partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE mbrëmjen e djeshme organizoi “tubim popullor” para ndërtesës së Qeverisë së Maqedonisë në të cilin shprehu pakënaqësi ndaj politikave të qeverisë aktuale të udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev, ku dhe kreu i opozitës Hristijan Mickoski kërkoi zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato presidenciale.

Tubimi popullor, i organizuar një vit pas formimit të qeverisë aktuale, u mbështet nga mijëra qytetarë të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit, të cilët me flamuj kombëtarë dhe parulla të ndryshme shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë aktuale, përfshirë edhe qëndrimin e tyre kundër ndryshimit të kushtetutës së vendit për të arritur marrëveshje rreth emrit, që Maqedonia e ka me fqinjin jugor, Greqinë, raporton AA.

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në adresimin e tij para mijëra qytetarëve, tha se Maqedonia kaloi një vit me zhgënjime, pritje të tradhtuara, pengesa ekonomike dhe me premtime të rreme.

“A jetoni më mirë, a mendoni se siç ka nisur do të jetoni më mirë… Nuk do të ndodh të dashur vëllezër dhe motra. Të parandalohen derisa nuk është vonë, t’i parandalojmë ne derisa nuk është tepër vonë. Duhet të ketë zgjedhje, zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato presidenciale”, porositi Mickoski, duke kërkuar një qeveri teknike 100 ditë para zgjedhjeve.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoni u mbajtën në dhjetor të vitit 2016, po ashtu me një qeveri teknike të formuar 100 ditë para zgjedhjeve, ndërsa ato presidenciale do të mbahen vitin e ardhshëm, përkatësisht pas përfundimit të mandatit 5-vjeçar të presidentit aktual.

“Nuk do të pranojmë ndryshimin e kushtetutës”

Në takimin me krerët shtetërorë, që u zhvillua muajin e kaluar në Shkup, kryeministri Zaev tha se qeveria maqedonase dhe greke kanë biseduar për opsion dhe zgjidhje që mund të jetë e pranueshme për të dyja palët, duke deklaruar: “Republika Ilindenska Makedonija është emri për kompromis të mundshëm me Greqinë. Në anglisht Republic of Ilinden Macedonia, në shqip Republika Ilinditase e Maqedonisë”.

Duke iu referuar bisedimeve mbi zgjedhjen e kontestit me emrin midis Maqedonisë dhe Greqisë, kreu i opozitës maqedonase theksoi se partia që drejton ai nuk do të pranojë ndryshimin e kushtetutës, në mënyrë që të “ndryshojë emrin e saj kushtetues”.

“Unë dua të porosis dhe të përsërit, VMRO-DPMNE nuk do të mbështes ndryshim të kushtetutës në mënyrë që të ndryshohet emri i saj kushtetues. Qëndrim më të qartë nga ky nuk ka. Historia do gjykojë kush kishte të drejtë, ndërsa emri i partisë sonë ka qenë dhe do të mbetet Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase – Partia Demokratike për Unitet Kombëtar Maqedonas (VMRO-DPMNE)”, deklaroi Mickoski.

Ndër të tjera, Mickoski tha se shqiptarët, turqit, romët, serbët, boshnjakët, si dhe qytetarët e tjerë që jetojnë në Maqedoni nuk kanë jetë më të mirë, duke shtuar se qytetarëve u nevojitet progres dhe prosperitet, e jo ndarje. Ai tha se për shqiptarët në Maqedoni nevojitet ekonomi dhe vende pune, e jo ligje anti-kushtetuese për gjuhët.

Në tubimin e mbrëmjes së sotme nga i cili qytetarët u shpërndan në mënyrë paqësore, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, si dhe kryetari i Partisë Popullore Evropiane, Joseph Daul, përmes një video mesazhi shprehën mbështetje ndaj partisë VMRO-DPMNE.