Azilantët në Gjermani, agjencia për refugjatët akuzohet për marrje ryshfeti

Bota May 21, 2018 - 23:25
Detajet

Zyrtarë të emigracionit në Bremen të Gjermanisë dyshohen për mitmarrje, në këmbim të përmirësimit të aplikimeve të azilkërkuesve.

“Der Spiegel” thotë se Jutta Cordt, kryetarja e Zyrës federale të Emigracionit dhe Refugjatëve “BAMF”, kishte informacion mbi parregullsitë masive në këtë qytet, të cilat nisin që prej shkurtit të vitit 2017.

Kanali televiziv “NDR” dhe e përditshmja “Süddeutsche Zeitung” përmendin gjithashtu një shkëmbim të brendshëm “e-mail”-esh, ku tregohet se “BAMF” ka qenë në dijeni të procedurave të dyshimta, por ka ngurruar ta hetojë çështjen.

Mediet në fjalë citojnë një mesazh të postës elektronike, në të cilin kreu i Departamentit përgjegjës kërkon që situata të ekzaminohet “pa zhurmë” dhe “pa hyrë shumë në detaje”.

Vet “BAMF” i mohon pretendimet mediatike, e thotë se nuk ka marrë asnjë “e-mail” të këtij lloji. Në muajin prill, megjithatë, Prokuroria e Bremenit njoftoi se një ish-zyrtare e degës së “BAMF” në këtë qytet ishte vënë nën hetim, pas akuzave se ajo dhe 4 persona të tjerë kishin marrë ryshfet në këmbim të dhënies së azilit për rreth 1.200 refugjatë, pavarësisht se këta individë nuk i plotësonin kriteret e nevojshme, përcjell TCh.

Episodet thuhet të kenë ndodhur në periudhën e viteve 2013-2016. Për rrjedhojë, 18 mijë kërkesa azili të shqyrtuara në Bremen që prej vitit 2012 do të verifikohen edhe njëherë gjatë 3 muajve të ardhshëm.