FBI-ja, nën hetim për të zbuluar nëse përgjoi Trumpin

Bota May 21, 2018 - 09:56
Lexoni detajet

Departamenti amerikan i Drejtësisë do të nisë një hetim për të parë nëse agjentët e FBI-së kanë përgjuar fushatën presidenciale të Donald Trumpit në vitin 2016 për qëllime të papërshtatshme.

Përmes një mesazhi në “Twitter”, Trump e bëri të qartë se dëshiron të dijë nëse administrata paraardhëse ka urdhëruar vërtet ndonjë lëvizje të tillë.

Ishin raportet në mediet amerikane, ato që treguan fillimisht se Byroja Federale e Hetimit ka pasur një informator, i cili takohej me ndihmës të fushatës.

Zëvendësprokurori i Përgjithshëm, Rod Rosenstein deklaroi se, nëse zbulohet ndonjë lloj infiltrimi do të merren masa.

Hetimi i ri vjen paralelisht me atë ekzistues mbi lidhjet e drejtuesve të fushatës së Trumpit me rusët dhe mundësinë që Moska të ketë ndikuar rezultatin.

Kërkesa e fundit e shefit të Shtëpisë së Bardhë vjen në mesin e një serie mesazhesh në “Twitter” të dielën, ku denoncohej ajo që ai e quante “një gjueti shtrigash”, e që sipas Trumpit nuk ka gjetur asnjë afrim të stafit të tij të fushatës me Rusinë.

Sa për akuzat drejtuar FBI-së, ato presidenti i lëshoi të premten, kur tha se Byroja kishte dërguar një ekip të sajin për të spiunuar fushatën e tij.

“New York Times” e ndoqi çështjen përmes një artikulli dhe tregoi se ka pasur vërtet një informator, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, por thotë se ai ishte dërguar të fliste me njerëz pranë Trumpit, vetëm pas raporteve për kontakte të dyshimta me Moskën./tch/