Këshilli i Sigurimit takohet sot për protestat në Gaza

Bota May 15, 2018 - 10:26
Lajmet e fundit nga bota

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara është paraparë që të mblidhet sot për të diskutuar për dhunën përgjatë kufirit të Izraelit me Rripin e Gazës.

Kuvajti e ka thirrur këtë takim, pasi të paktën 58 palestinezë u vranë dhe mbi 1,200 të tjerë u plagosën nga ushtria izraelite, pas protestave masive për të kundërshtuar hapjen e ambasadës amerikane në Jerusalem më 14 maj.

Izraeli tha se trupat e tij kanë mbrojtur kufirin dhe ka akuzuar militantët e Hamasit se kanë tentuar të sulmojnë gjatë protestës.

Nuk ka qenë menjëherë e qartë se çfarë mund të pritet nga kjo mbledhje e Këshillit të Sigurimit. Pas protestave, nuk ka pasur asnjë deklaratë të përbashkët dhe dy diplomatë të OKB-së thanë se anëtarët nuk kanë arritur që të arrijnë një marrëveshje unanime më 14 maj, në mënyrë që të publikojnë një deklaratë të propozuar nga Kuvajti.

Në draft-deklaratë, të cilën e kanë siguruar mediat, thuhet se shprehet “zemërim dhe pikëllim” për vrasjet dhe kërkohet “hetim transparent dhe i pavarur” mbi protestat vdekjeprurëse.

Diplomatët amerikanë thanë se Shtetet e Bashkuara kanë bllokuar këtë propozim lidhur me kërkesën që të gjitha shtetet të respektojnë një rezolutë një dekadë të vjetër të Këshillit të Sigurimit, ku bëhet thirrje që të mos vendosen ambasada në Jerusalemin e kontestuar.

SHBA ka vendosur veton në dhjetor mbi rezolutën që i kërkohet presidentit amerikan, Donald Trump që të anulonte vendimin e tij për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit.