Kriza e Sirisë hyn në një zonë të re rreziku

Bota May 07, 2018 - 10:10
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi, rajoni, bota....

Ndërsa lufta e Sirisë e ka kaluar vitin e saj të shtatë, konflikti po hyn në një fazë edhe më të rrezikshme, teksa forcat e Asadit shtojnë operacionet e tyre sulmuese, bashkë me luftën më të gjerë me milicitë e përkrahura prej regjimit në terren, ndërmjet disa shteteve kombe, duke përfshirë Iranin dhe Izraelin.

Trupat e Asadit kanë siguruar dominimin në fushën e betejës dhe po i përqendrojnë përpjekjet e tyre në spastrimin e zonave të mbetura të ndikimit të opozitës përreth Damaskut. Në javët e ardhshme Asadi do të fokusohet në eliminimin e zonave të mbetura nën kontrollin e opozitës rreth qytetit të Rastan në Sirinë Veriore dhe atë Jugperëndimore, pranë kufirit jordanez.

Në atë moment Asad do të përballet me një zgjedhje të rëndësishme. A do të përpiqet ai të rifitojë kontrollin e provincës Idlib në Sirinë Veriperëndimore, ku ndodhen mijëra civilë dhe militantë, që kanë ikur nga zona të tjera të konfliktit dhe ku grupime radikale si Fatah Sham, që përfaqëson “Al Qaeda”-n në Siri, kontrollojnë pjesë të mëdha të rajonit?

Ose apo do të kthehet drejt lindjes, për të luftuar kundër forcave kurde të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara dhe të përpiqet të rimarrë nën kontroll pjesë të mëdha të infrastrukturës jetike të naftës atje?

Vlerësimi më i fundit është se forcat kurde kontrollojnë territorin, duke përfshirë fushat e naftës dhe të gazit në Sirinë Lindore, që përbëjnë rreth 30 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të vendit. Këto burime do të jenë kritike për projektin afatgjatë të rindërtimit të Sirisë nga ana e regjimit.

Ka të dhëna se forcat e regjimit po kryejnë tashmë sulme periodike mbi Idlib, prandaj edhe është objektivi më i mundshëm në një periudhë afatshkurtër. Sipas vlerësimit më të fundit nga Kombet e Bashkuara, në Idlib ndodhen afërsisht 2.5 milionë sirianë, duke përfshirë më shumë se 1 milion fëmijë.

Duke pasur parasysh terrenin e vështirë në pjesë të Idlibit, praninë e shumë prej luftëtarëve me ekstremistë kundër “Al-Qaeda”-s e të “Shtetit Islamik” të mbetur në Siri dhe faktin se këtyre luftëtarëve u kanë mbetur vetëm disa vende ku mund të strehohen, lufta për Idlibin ka gjasa të jetë veçanërisht e egër dhe e përgjakshme.

Ndërkohë, duke pasur përdorimin e armëve kimike nga regjimi në Idlib duhet të presim një përdorim shtesë të këtyre armëve nëse komandantët lokalë të regjimit mendojnë se është e nevojshme. Nga ana tjetër, tensionet midis Izraelit dhe Iranit në Siri kanë arritur një nivel të ri të rrezikshëm në javët e fundit.

Në fillim të muajit prill Izraeli njoftoi se kishte lëshuar raketa mbi një bazë ajrore siriane, duke vrarë edhe 7 iranianë. Ka gjithashtu raporte se fundjavën e shkuar, Izraeli mund të ketë goditur bazat ushtarake të përdorura nga Irani dhe milicitë e mbështetura prej tij pranë Hamas dhe Alepos, duke vrarë iranianë të tjerë.

Ky sulm vjen pas pretendimeve të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Xhejms Matis, se Irani po forcon pozitat e tij ushtarake në Siri dhe se po e përdor vendin si një platformë për transferimin e armëve gjithnjë e më të përparuara te “Hezbollahu”.

Zyrtarët e lartë izraelitë kanë paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se Izraeli nuk do të pranojë një prani të madhe ushtarake iraniane në kufirin e saj dhe thuhet se tani po përgatitet për një përgjigje iraniane ndaj sulmeve të fundit me raketa. Pra, potenciali për një përplasje mes Izraelit dhe Iranit në Siri është rritur ndjeshëm kohët e fundit.

Vlen të kihet parasysh se një konfrontim i tillë mund të përshkallëzohet shpejt dhe të shkaktojë sulme të drejtpërdrejta brenda Izraelit dhe Iranit. Ajo gjithashtu mund të përhapet përtej kufijve të Sirisë në Liban dhe në Irak, potencialisht nga ana e luftëtarëve libanezë të “Hezbollah”-ut, dhe milicitë shiite të mbështetura nga Irani në Irak.

A mund të bëjnë ndonjë gjë aktualisht politikëbërësit e SHBA-së, për t’u përgatitur për kapitullin tjetër në këtë konflikt? Së pari, politikëbërësit e SHBA-së mund të duan të shtyjnë afatin kohor për tërheqjen e forcave amerikane në Siri.

Lufta kundër ISIS-it në Sirinë Lindore s’ka mbaruar ende dhe tërheqja e forcave amerikane mund ta lejojë ISIS-in të rigrupohet në “tokën e askujt”, përgjatë kufirit midis Irakut dhe Sirisë, duke rrezikuar sigurinë e Irakut dhe me gjasë edhe të Jordanisë.

Prania e një numri të kufizuar trupash amerikane rrit ndërkohë aftësinë e Amerikës për të shënjestruar elementët e “Al-Qaeda”-s në Sirinë Perëndimore dhe siguron një mekanizëm diplomatik presioni mbi regjimin e Asadit dhe Moskën, çka do të jetë jetike gjatë negociatave të ardhshme për t’i dhënë fund konflikti.

Përveç kësaj, një largim i papritur i forcave amerikane mund të rrezikonte Forcat Demokratike Siriane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, të cilat kishin një rol të rëndësishëm në çlirimin e Rakas nga ISIS-i dhe që në mungesë të mbështetjes ushtarake amerikane ka të ngjarë të bëhen objektiv i regjimit të Asadit dhe aleatëve të saj.

Së dyti, duke pasur parasysh momentet e fundit të tensioneve midis Izraelit dhe Iranit, politikëbërësit e SHBA-së mund të dëshirojnë të mendojnë me kujdes për mënyrat, duke përfshirë mesazhet e drejtpërdrejta ndaj të dyja vendeve për të kufizuar potencialin, në mënyrë që konfrontimi të mos përhapet përtej kufijve të Sirisë, si dhe për opsionet e SHBA-së nëse mjerisht kjo do të ndodhë si skenar i fundit.

Së fundmi, politikëbërësit amerikanë mund të duan të rishqyrtojnë të gjitha mundësitë e SHBA-së për trajtimin e thellë të makthit humanitar në Siri, për të siguruar një ndihmë në rritje ndaj popullsisë së zhvendosur të Sirisë.

Situata në terren nuk do të përmirësohet për një të ardhme të parashikueshme dhe nuk është e tepruar të thuhet se një brez i tërë fëmijësh sirianë gjendet në rrezik. Pavarësisht nga pretendimet periodike për të kundërtën, nuk ka qenë dhe as nuk do të jetë kurrë e mundur një zgjidhje e lehtë politike për krizën siriane.

Por mos u gaboni - konflikti po përkeqësohet në shumë nivele dhe mund të nxisë shumë shpejt një krizë edhe më të gjerë rajonale. Është detyrë e liderëve anembanë globit të shmangin tundimin për t’u larguar nga Siria dhe t’i dyfishojnë përpjekjet e tyre për t’i identifikuar opsionet diplomatike kreative./ “The Hill”/. /ZËRI/