Turqi, dënohen me burg gazetarët e gazetës opozitare “Cumhuriyet”

Bota April 26, 2018 - 10:31
Lexo detajet

Pesëmbëdhjetë gazetarë dhe redaktorë të gazetës turke “Cumhuriyet” u dënuan me dënime me burg, disa prej të cilëve prej shumë kohësh, për propagandën e dyshuar terroriste. Kryeredaktori Murat Sabuncu i tha DW se aktgjykimi i shkallës së parë nuk do t'i trembë ata, transmeton zeri.info

Gjykata në Silivri pranë Stambollit dënoi me më shumë se shtatë vjet burg botuesin e gazetës opozitare “Cumhuriyet”,Akin Atalay, kryeredaktorin Murat Sabuncu dhe gazetarin e njohur investigativ Ahmet Shik për "mbështetje të organizatave terroriste." Aktgjykimi që vjen pas nëntë muajve të gjykimit nuk është ende i vlefshëm. Gjatë procesit të apelimit, të dënuarit mund të qëndrojnë në liri – kurse Atalay ka qenë në paraburgim gjithë kohën.

Gjithsej 18 gazetarë u paditën. Përveç këtyre tre të përmendurve, më pak dënime me burg u shqiptuan kundër të tjerëve, dhe tre u liruan. Disa janë dënuar për "mbështetjen e grupeve terroriste” pa anëtarësim në to.

Kryeredaktori Sabuncu i tha DW se dënimet nuk do ta pengojnë atë dhe kolegët e tij nga vazhdimi i guximshëm që të merren me punën e tyre. "Le të vazhdojmë të angazhohemi në gazetari të lirë dhe unike. Ky vendim nuk do të na ndalojë nga angazhimi në gazetari, kjo është një turp për gjyqësorin turk"./Zeri