A po e sponsorizon Rusia terrorizmin?

Bota April 23, 2018 - 09:59
Lexoni më shumë lajme nga vendi, rajoni dhe bota...

Krahas sanksioneve financiare të shtuara ndaj zotit Putin dhe miqve të tij, një element tjetër do t’i shtohet presionit diplomatik kundër Rusisë: Departamenti i Shtetit do të marrë në shqyrtim shtimin e Kremlinit në listën e sponsorëve shtetërorë të terrorizmit së bashku me aleatët e tij të ngushtë, Iranin dhe Sirinë.

Kauza morale për një skenar të tillë është e fortë. Rusia ka pushtuar fqinjët e saj Gjeorgjinë dhe Ukrainën, mbështet regjimin vrastar të Bashar Al-Asadit

dhe armiqtë tanë në Afganistan dhe është e angazhuar në luftën aktive informative kundër demokracive perëndimore, duke përfshirë ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara.

Këtë javë Organizata për Parandalimin e Armëve Kimike njoftoi se Moska kishte kapërcyer edhe një vijë tjetër, më herët të paimagjinueshme, kur konfirmoi gjetjet nga qeveria britanike se një agjent nervor ushtarak rus, të cilin autoritetet britanike e identifikuan si Novichok, u përdor për të helmuar ish-agjentin e inteligjencës ruse, Sergei Skripal dhe vajzën e tij në qytetin anglez të Salisbërit.

Sulmi shkaktoi shtrimin në spital në gjendje të rëndë edhe të zyrtarëve britanikë të zbatimit të ligjit, të cilët shkuan menjëherë në vendngjarje. Rusia i ka mohuar akuzat, por provat janë të shumta. Pra, kjo është domethënia e sulmit: Rusia tanimë është zyrtarisht përgjegjëse për një sulm me armë kimike kundër një shteti anëtar  të NATO-s në territorin e vet, një shkelje e madhe e sovranitetit të aleatit tonë më të afërt.

Kjo kërkon një përgjigje serioze amerikane. Dhe konfirmimi fillestar për këtë vjen nga sulmet e tmerrshme me armë kimike nga Bashar Al- Asad kundër popullit të tij në Siri. Ai është në pushtet vetëm sepse Kremlini ia ofron atij një mbështetje të gjerë diplomatike, ushtarake dhe ekonomike.

Përdorimi i armëve kimike kundër civilëve është i paligjshëm sipas ligjit ndërkombëtar, veçanërisht sipas Konventës për Armët Kimike. Në fakt, programi kimik i paligjshëm i Sirisë është pjesë e arsyes se përse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta etiketojnë Sirinë si një sponsor shtetëror të terrorizmit.

Ekzistojnë ndërkohë prova se Rusia po luan në të dyja anët e konfliktit në Siri, duke mbrojtur regjimin vrastar të Asadit, por edhe duke nxitur kryengritjen radikale kundër tij. Raportet nga mediet ukrainase tregojnë se Moska ka ofruar mbështetje materiale për “Shtetin Islamik”, duke përfshirë edhe ndihmën në rekrutimin e luftëtarëve.

Sipas këtyre raporteve, ISIS-i numëron tani mijëra xhihadistë rusishtfolës në mesin e forcave të tij. Ne gjithashtu e dimë se Rusia po rrit mbështetjen e vet për kryengritësit antiamerikanë në Afganistan.

Më 9 shkurt 2017 gjenerali Xhon Nikolson, komandant i trupave amerikane në Afganistan, tha në Komitetin e Shërbimeve të Armatosura të Senatit se Rusia “ka filluar të legjitimojë publikisht talebanët” si një mjet për të minuar Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n. Për më tepër, lufta e paligjshme dhe imorale e Rusisë kundër Ukrainës nuk tregon shenja mbarimi.

Rusia do të përballet me kufizime

Që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe mbështetjes së mëpasshme nga micilitë e kontrolluara nga Rusia në rajonin e Donbasit bashkësia ndërkombëtare nuk ka arritur të reagojë si duhet ndaj agresionit të vazhdueshëm rus, duke paguar një kosto shkatërruese.

Më shumë se 10.000 ukrainas kanë vdekur në luftë dhe më shumë se 1.7 milion të tjerë janë zhvendosur. Më 17 korrik 2014 forcat e mbështetura nga Kremlini rrëzuan një avion civil, duke vrarë të 298-të personat që ndodheshin në bord, duke përfshirë një shtetas amerikan.

Për këtë arsye unë kam në plan të prezantoj projektligjin, që do të kërkojë që Departamenti Amerikan i Shtetit të përcaktojë brenda 90 ditëve nëse Federata Ruse plotëson kriteret për t’u caktuar si një sponsor shtetëror i terrorizmit.

Nëse përgjigjja është po Rusia do të përballet me kufizime në ndihmën e huaj amerikane, një ndalim të eksporteve dhe shitjeve në fushën e mbrojtjes, kufizimet në shitjet amerikane të mallrave të caktuara që kanë përdorime civile dhe ushtarake, si dhe kufizime të tjera financiare.

Shumë nga këto masa ndëshkimore janë kërkuar tashmë në Aktin e Kundërvënies ndaj Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve dhe administrata e Trump po mendon për të tjera. Disa do të argumentojnë se përdorimi i një etiketimi të tillë toksik ndaj një fuqie të madhe globale, me një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, nuk do të dekurajojë atë dhe madje mund të dëmtojë më tej raportet amerikano-ruse, që tashmë janë në pikën më të ulët historike.

Këto janë çështje të rëndësishme të politikave, prandaj projektligji im ia lë vendimmarrjen përfundimtare profesionistëve të Departamentit të Shtetit.

Megjithatë, është e qartë se faji për nivelin e mosbesimit dhe tensioneve të sotme midis Moskës dhe Uashingtonit është tërësisht i Kremlinit dhe i sjelljes së tij të tmerrshme.

Ne duhet të ndërmarrim çdo hap diplomatik të domosdoshëm për të mbrojtur aleatët tanë dhe demokracinë tonë, si dhe për të penguar një revanshizëm rus që synon të rishkruajë historinë dhe të kërcënojë mënyrën tonë të jetesës. /Cory Gardner/. / NYT/