Iraku thotë se ka vrarë 36 luftëtarë të IS-it në Siri

Bota April 22, 2018 - 17:38
Flet gjenerali i luftës

Iraku thotë se forcat e saj kanë vrarë 36 terroristë, që ishin pjesëtarë të grupit militant Shteti Islamik, gjatë sulmeve ajrore që i kanë kryer në Siri.

Në një video të postuar, të operacionit të sulmeve ajrore, shfaqet një avion luftarak i tipit F-16, teksa shkatërron një shtëpi në lindje të Sirisë.

“Sulmet ajrore irakiane, të kryera me avionë F-16 në Siri më 19 prill, kanë pasur për cak terroristët e IS-it, të cilët paraqesin rrezik për Irakun”, ka thënë sot, gjenerali Yahya Rasool, zëdhnës i Komandës së Përbashkët të Operacioneve, që koordinon luftën kundër IS-it në Irak, transmeton AFP.

“Sipas informacioneve që kemi, sulmet ajrore ndodhën kur liderët e grupit terrorist po zhvillonin një takim. Në këto sulme janë vrarë 36 pjesëtarë të IS-it”, ka thënë tutje ai.

Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që lufton kundër IS-it ka konfirmuar se këto sulme janë kryer në afërsi të qytetit sirian Hajin, që gjendet rreth 50 kilometra larg kufirit me Irakun.